VIDEO LAJM: QENDRA MANUEL FANTASTIK NË FITOREN E PRIZRENIT 16
ARTMOTION SUPERLIGA 2021/22 XHIRO 4
PRIZRENI 16 – RC COLA DRITA 102:71
(AsistiOnline.com) – Ndonëse hasi në vështirësi në 10 minutat e parë, Prizreni-16 arriti shkëputjen që nga mesi i çerekut të dytë dhe pastaj triumfoi thellë me 30 pikë diferencë për t’i shkaktuar Dritës edhe humbjen e katërt në po aq xhiro të zhvilluara të ARTMOTION Superligës, me rezultatin përfundimtar 102:71.
Kjo ishte ndeshja e parë në këtë edicion ku Drita shijoj epërsinë gjatë çerekut të dytë ani pse nuk zgjati shumë. Faktor kyç në triumfin e prizrenasëve ishte numri i lartë i topave të vjedhur, plot 15 krahas 4 të Dritës dhe 28 asistime krahas 15 të mysafirëve.
Vendasit e nisën ndeshjen me epërsi prej 8:0 për të treguar se do të synonin fitoren e thellë në këtë sfidë, por pastaj Drita u këndell dhe me 8 pikë të Qëndrim Demit dhe ndihmën e lojtarëve të tjerë të skuadrës arritën që kur semafori tregonte 22 sekonda para përfundimit të duelit të kalonin në epërsi prej 22:20 falë kësaj treshe të Bardh Jakupit. Megjithatë për gjilanasit nuk ishte e shkruar që ta mbyllnin për herë të parë në Artmotion Superligë një çerek në epërsi, pasi që Arti Hajdari doli në skenë 6 sekonda pa mbaruar 10 minutëshi dhe me një treshe vendosi për rezultatin përfundimtar të këtij çereku, 23:22.
Edhe në 4 minutat e parë të çerekut të dytë pati rezistencë nga Drita, por pastaj gjërat ndryshuan me Prizrenin që realizoi nëntë pikë nga të cilat edhe këtë alley-opp fantastik të Manuel (44-32) dhe nuk pranuan asnjë për ta ngritur epërsinë në 44:32 dhe për ta detyruar shtabin teknik të mysafirëve të kërkoj time-out. Që nga ai moment e tutje skuadra e drejtuar nga Arbnor Rifati ishte më e mirë në parket dhe shtriu dominimin për ta mbyll pjesën e parë me rezultatin 53:37.
Çereku i tretë u karakterizua me një lojë atraktive të prizrenasëve të cilët nuk i ndalën alley-oppat (62:41) teksa deri në fund vazhduan me shënimet dhe arritën deri në +25 pikë epërsi (78:53). Duke parë rezultatin e thellë trajneri Arbnor Rifati i dha besim dhe minuta në këmbë lojtarëve të rinjë Pirana dhe Shemsedini teksa të gjithë lojtarët e tjerë patën të paktën 10 minuta lojë për ta mposhtur lehtësisht 102:71 Dritën.
Lojtarët më të dalluar në këtë sukses të të besuarëve të Arbnor Rifatit ishin Trevor Manuel me 24 pikë, 17 kërcime dhe indeks prej +41 dhe Ivan Koljeviq që për një asist nuk arriti dot double-double duke përfunduar ndeshjen me 10 pikë dhe 9 asistime. Ty Nichols nga banka pati performancë fantastike duke realizuar 15 pikëdhe vjedhur 3 topa teksa Blendi Matoshi regjistroi 13 pikë dhe 4 topa të vjedhur. Nga ana tjetër tek Drita Mayers pati 17 pikë, Mehmeti realizoi 11 pikë dhe 12 kërcime kurse Demi pati 15 pikë dhe Jakupi 11 pikë.
Në javën e ardhshme Drita do të jetë nikoçire e kampionëve në fuqi Golden Eagle Yllit në ndeshjen e skuadrave të cilat nuk kanë akoma asnjë fitore këtë sezon teksa nga ana tjetër Prizreni -16 do të udhëtoj në “Karagaq” për tu ballafaquar me Pejën në një duel interesant mes dy prej skuadrave favorite të këtij edicioni.
VIDEO : PRIZRENI 16 – RC COLA DRITA (XHIRO 4)
Komentet janë të mbyllura.