Basketboll

VIDEO LAJM: TREPÇA FITON DERBIN DHE MBETET E VETMA E PAMPOSHTUR

ARTMOTION SUPERLIGA 2021/22 XHIRO 4

 (AsistiOnline.com) Trepça e ka fituar derbin e të pamposhturve në tri xhirot e para të Artmotion Superligës duke e mposhtur Pejën me rezultat 83:66, të enjten mbrëma në Minatori.

Nëse pas finales së Superkupës i kemi kritikura qendrat amerikane të Trepçës, Gerald Blakshearin e Andrew Gordonin dhe në dy ndeshjet e para nuk na ka pëlqyer loja e tyre, pas derbit me Pejën lirisht mund të themi se ata ishin yjet e mbrëmjes dhe kryesorët që mitrovicasit mbeten skuadra e vetme e pamposhtur pas katër xhirove. Bleackshear dhe Gordon dominuan absolutisht nën kosha dhe ishin të pandalshëm në sulm duke kontribuar me nga një double double secili.

Gerald Blackshear luajti me 15 pikë e 11 kërcime duke pasur efikasitet prej 75% nga loja për dy pikë pasi qëlloi 6 nga 8 tentime kurse Andrew Gordon shtoi dyshifror të dyfishtë prej 13 pikëve e 12 kërcimeve me efikasitet edhe më të mirë prej 83%, duke shënuar 5 nga 6 tentimet për dy pikë

Megjithatë, koshashënuesit më të mirë tek Trepça edhe një herë ishin dyshja Drilon Hajrizi dhe Samir Zekiqi. Driloni realizoi 17 pikë, prej tyre dy treshe ndërsa Samiri shtoi 15 pikë duke qenë snajperisti më i mirë me tri treshe të realizuara.

Në kte lojë, fundorët Ty Cockfield dhe Amin Hot nuk e kishin në plan të parë shënimin e pikëve por furnizimin e qendrave në brendi dhe Samirit e Drilonit për tri pikë. Së bashku ata realizuan 10 nga 17 asistimet e Trepçës në kte ndeshje. Derisa Cockfield përmbylli shoqërin e 5 lojtarëve të Trepçës që realizuan pikë dyshifrore në kte derbi dhe kontribuoi me 11 pikë e 4 asistime, plejmejkeri Hot pati 7 pikë e 6 asistime.

Nga ana tjetër, dyshja Dardan Berisha dhe Arian Qallaku me nga 14 pikë secili, ishin më efikasët për Pejën ndërsa Dardani shtoi edhe 6 kërcime dhe 6 asistime. Rezervisti, Stephen Maxuell edhe një herë u ngrit nga banka për të kontribuar me pikë dyshifrore, kësaj radhe 13 pikë e 7 kërcime ndërsa më të heshtur ishin Henrik Shirko me 11 pikë dhe plejmejkeri Erdem Ilteri me 10.

Vendimtare në fitoren e Trepçës ishin çerekët dy dhe katër kur vendasit luajtën mbrojte shumë të forta dhe detyruan mysafirët të bëjnë shumë gabime dhe huqje.

Përderisa çereku i parë ishta absolutisht i barazuar dhe përfundoi me rezultat të barabartë 19:19, në çerekun e dytë trajneri Minqev i Trepçës ndryshoi qasjen në lojë duke e futur topin në brendi tek qendrat dhe  kërkuar nga lojtarët të depërtojnë më shpesh. Kjo ka rezultuar me 8 faulla të shkaktuar të Pejës ndërsa Trepça nga 10 gjuajtje të lira ka realizuar 8 herë. Nga ana tjetër, në mbrojtje, me presionin që e ka bërë në qendër, i ka detyruar verdhezinjt të dalin jashtë dhe të tentojnë shënime nga distanca prej nga ishin katastrofal duke huqur të gjitha 8 tentimet. Gjitha këto rezultuan me 7 pikë më shumë të shënuara nga Trepça në pjesën e parë, e cila përfundoi me rezultat 41:34

Çereku i tretë ishte sërish i niveluar dhe për një nuancë apo një pikë , pejanët ishin më të mirë duke i falënderuar përmirësimit të tentimeve për tri pikë dhe kontrollit më të mirë të kërcimeve në mbrojtje. Peja në çerekun e tretë realizoi 4 treshe nga 8 tentime ndërsa u zgujuan dyshja Shirko – Ilter për ta zbutur disavantazhin në minus 6 pas 30 minutave lojë (61:55)

Në çerekun e katërt e pamë reprizën e çerekut të dytë kur Trepça në tre minuta e 30 sekondat e para startoi fuqishëm me ngulitjen e Blackshearit dhe me dy treshet ekspres të Drilonit dhe Samirit duke e ngritur epërsin në 13 pikë (69:56). Ishte Samir Zekiqi ai i cili realizoi edhe një treshe tjetër kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 47 sekonda lojë duke e ngritur epërsinë në plus 16 (76:60)

Kundërpërgjigja erdhi shpejt nga Dardan Berisha me dy trepikësha rresht (78:66) ndërsa kishte më pak se 2 minuta lojë por tentimin e mysafirëve për ta nisur një seri eventuale të suksesshme e ndërpreu Drilon Hajrizi duke iu revanshuar mysafirëve në mënyrë të njejt, me treshe (81:66) kurse lojtari i ndeshjes Gerald Bl;ackshear e mbyll duelin në stil, me ngulitje për rezultatin final 83:66 dhe fitoren e katërt rresht të Trepçës,  në start të këtij kampionati.

Ndeshjen e radhës ,Trepça e zhvillon të dielën e 10 tetorit si mysafire e Bashkimit kurse Pejën në Karagaq, të enjten e ardhshme e pret dueli derbi me Prizrenin-16.

 

VIDEO

Komentet janë të mbyllura.