Basketboll

VIDEO LAJM: DRITA – RAHOVECI (ARTMOTION SUPERLIGA – XHIRO 9)

THYHET REKORDI I PIKËVE NË ÇEREKUN E PARË ...

(AsistiOnline) – Rahoveci dhe RC Cola Drita kanë shënuar së bashku plotë 61 pikë në 10 minutat e para për të vendosur rekordin për më së shumti pikë të realizuara brenda një çereku sivjet ndërsa vreshtarët e fituan derbin e fundit të tabelës në “Mizahir Isma” me rezultat 122:104.

Drita pati epërsi konstante në gjysmën e çerekut të parë mirëpo pastaj “Vreshtarët” morën lojën në duar të veta për ta arritur fitoren e dytë sezonale dhe duke lënë pa asnjë fitore Dritën.

Rahoveci ishte më i mirë në thuajse gjithçka, duke pasur efikasitet fantastik për tri pikë dhe qëlluar 14 nga 26 tentimet. Vendimtar ishte edhe domini në kërcime pasi Rahoveci pati 53 sosh përkundër vetëm 32 të rivalëve dhe vreshtarët shkëlqyen edhe në asistime duke regjistruar 36 krahas vetëm 21 të kundërshtarëve.

Plotë 61 pikë u shënuan në 10 minutat e para duke e thyer rekordin për më së shumti pikë të realizuara brenda një çereku sivjet. Musab Mala ishte më i mir në këtë çerek me 11 pikë kurse Altin Morina shtoi 10 për ta arritur epërsinë dyshifrore pas 10 minutave të para, 36:25.

Rahoveci vazhdoi me lojë të ngjashme edhe në çerekun e dytë për ta mbyll pjesën e parë me epërsi prej 17 pikëve, 65:48.

Pas pushimit, RC Cola Drita u kthye me seri prej 14-7 të cilën e filloi Johnson me treshe (51:65) dhe po ashtu me treshe e mbylli Qëndrim Demi, duke e shkrirë epërsinë e Rahovecit në 10 pikë (62:72) kur kishin mbetur edhe 6 minuta e 35 sekonda lojë në këtë pjesë të lojës. Megjithatë, Rahoveci rivendosi kontrollin dhe në fund me treshen e Altin Morinës e ktheu epërsinë në plus 14 (77:91). Çereku i katërt kaloi në shenjë të shënimeve kosh-për-kosh dhe fitorja e vreshtarëve asnjëherë nuk u rrezikua.

Me 31 pikë të shënuara Altin Morina ishte lider i Rahovecit dhe shtoi 7 kërcime, 8 asistime e 3 topa të vjedhur. Ai pati ndihmë të madhe nga dyshja Yarbough dhe Monroe të cilët kompletuan nga një double double secili.

Milik Yarbough luajti me 26 pikë e 16 kërcime kurse Tyheim Monroe debutoi në Artmotion Superligë me 22 pikë e 16 kërcime. “Pokerin” e lojtarëve me pikë dyshifrore te vreshtarët e kompletoi Musab Mala me 18 sosh.

Pas ndeshjes trajneri i Rahovecit, Ilmen Bajra tregoi se skuadra improvizoi për këtë duel por nuk u duk shumë i kënaqur me paraqitjen dhe përbërjen e skuadrës.

“U munduam të improvizojmë diçka ditëve të fundit pasi jemi në ndryshim e sipër të përbërjes së ekipit. Nuk mund të them se nuk jam i kënaqur me fitore por njëkohësisht nuk mund të jem as i kënaqur me këtë përbërje që kemi dhe këtë lojë që kemi bërë” tha Bajra

DEKLARATA E TRAJNERIT TË RAHOVECIT ILMEN BAJRËS NË VIDEO LINK

 

Te Drita u dallua dyshja amerikane Johnson – Mayers e cila realizoi 53 nga 104 pikët. Isiah Johnson luajti me 28 pikë e 6 kërcime kurse Marcus Mayers shtoi 25 pikë  (4/8 për tri pikë, 50%) dhe 5 asistime. Alo-qendra Bardh Jakupi ishte më i miri nga vendorët te RC Cola Drita me 16 pikë dhe efikasitet perfekt për dy pikë (5/5 për dyshe, 100%) dhe nga gjuajtjet e lira (3/3 gjuajtje të lira, 100%). Fluturuesi gjilanas Arian Memeti shtoi 15 pikë, 5 kërcime e 3 asistime kurse kapiteni Qëndrim Demi përmbylli pesëshen startuese e cila luajti me pikë dyshifrore në këtë duel, duke realizuar 11 pikë dhe përpak nuk arriti double double pasi shtoi edhe 8 asistime.

Snajperisti i gjilanasve, Marcus Mayers pas duelit theksoi se skuadra u përpoq shumë por ishte evidente  mungesa e lojtarit të qendrës.

“Ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe shpresojmë të marrim një fitore së shpejti. Shpresoj që skuadra do të bëjë maksimumin për ta transferuar një qendër tani ne duhet të mundohemi edhe më shumë që të shënojmë fitoren e parë” deklaroi Mayers

DEKLARAT E MARCUS MAYERSIT , FUNDORIT TË RC COLA DRITËS NË VIDEO LINK

 

Është kjo fitorja e dytë e Rahovecit i cili aktualisht po udhëhiqet nga Ilmen Bajra dhe të dy fitoret i realizoi ndaj gjilanasve dhe tash pas kësaj fitore rahoveci e pret Golden Eagle Yllit në kuadër të xhiros 4 të Ligës Unike dhe e cila vlerësohet edhe për Artmotion Superligë sepse ndeshja me Pejën e cila është dashur të zhvillohet në kuadër të xhiros 10 të kampionatit të Kosovës do të zhvillohet me 18 Dhjetor, gjithashtu në kuadër të Ligës Unike. Sa i përket RC Cola Dritës e cila mbetet ende pa fitore, ajo udhëton tek lideri Trepça në Minatori.

VIDEO RAPORTI KOMPLET

 

Komentet janë të mbyllura.