Basketboll

TREPÇA FARE LEHTË NDAJ DRITËS, BLINDON KREUN E TABELËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka fituar lehtë përballjen e parë të xhiros së dhjetë në elitën e basketbollit kosovar përballë Dritës.

Ashtu siç ishte pritur para nisjes, mitrovicasit kanë triumfuar ndaj Dritës me rezultatin final dhe tejet të thellë 118-69.

Ishte kjo një fitore rutinore e Trepçës sonte që fitoi të gjitha periodat pa ndonjë telashe(32-17, 28-16, 30-14, 28-22) ndaj Dritës e cila sivjet nuk është as hija e skuadrës që ishte në Ligën e parë dhe kur u inkuadrua në Superligë.

Pothuajse e gjithë skuadra e Trepçës realizoi pikë në këtë fitore, derisa shtatë prej tyre arritën pikë dyshifrore, Drilon Hajrizi(20), Ty Cockfield(15), Amin Hot e Burim Zekiqi e Samir Zekiqi nga 14, si dhe Gerlald Blackshear e Andrew Gordon me nga 11 pikë.

Te Drita pikë dyshifrore arritën, Qëndrim Demi(16), Isaiah Johnson(15), Bardh Jakupi(14) dhe Marcus Myers(12).

Pas xhiros së dhjetë, Trepça pozicionohet e para me 18 pikë, 8 fitore e 2 humbje. Ndërsa, Drita mbetet skuadra e fundit në tabelë dhe e vetmja pa fitore me 10 pikë të grumbulluara.

Në javën e ardhshme, Trepça i shkon Pejës e Drita e pret Prizrenin 16.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.