Basketboll

BASHKIMI PËRMBYS TREPÇËN DHE ARRIN FITORE TË MADHE NË ”MINATORI”

Prishtinë(AsistiOnline) – Bashkimi i Prizrenit e ka fituar përballjen fantastike ndaj Trepçës në kuadër të xhiros së 12-të në elitën kosovare.

Portokallinjët me një rikthim të madh në rezultat gjatë çerekut të katërt e fituan me shumë meritë derbin ndaj Trepçës në ”Minatori” me rezultatin final 83-87.

Trepça e fitoi çerekun e parë 23-17, derisa Bashkimi atë të dytë 23-25 dhe skuadrat shkuan në pushim me avantazh 4 pikësh të Trepçës.

Këta të fundit e nisën furishëm pjesën e dytë dhe fituan çerekun e tretë 27-20, për ta nisur periodën finale në epërsi +11, por Bashkimi nuk u dorëzua dhe me treshet e Kazarnovskit, Bunjakut dhe Lewisit e fitoi thellë çerekun e tretë 10-25, duke bërë që ndeshja të marrë kahje të kundërt dhe pikërisht kjo periodë ishte vendimtare për fatin e takimit të cilin e fituan mysafirët nga Prizreni.

Valon Bunjaku ishte fantastik në këtë fitore të Bashkimit sonte me plotë 30 pikë, 8 asiste, 4 kërcime e 2 vjedhje topash, ndihmuar edhe nga Anton Kazarnovski me 26 pikë dhe Julien Lewis me 19 sosh.

Te Trepça ishin të pamjaftueshëm për fitore, Ty Cockfield me 25 pikë, Amin Hot me 16, Andrew Gordon me 15 dhe Drilon Hajrizi me 13 sosh.

Pas xhiros së 12, Trepça gjendet e dyta me 21 pikë, 9 fitore e 3 humbje. Derisa, Bashkimi ngjitet i 3-ti me 19 pikë, 7 fitore e 5 humbje.

Në xhiron e ardhshme, Trepça i shkon Sigal Prishtinës e Bashkimi e luan derbin lokal ndaj Prizrenit 16.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.