Basketboll

5-SHJA DHE MVP NGA XHIRO 13 NË ELITËN KOSOVARE

5-SHE INTERESANTE EDHE KËTË XHIRO...

1.I.KOLJEVIQ (PZ16), 2.D.BERISHA (PEJ), 3.L.ZEQIRI (PRI), 4.A.KAZARNOVSKI (BASH), 5.U.ZENELAJ (PZ16).

1. Plejmejkeri i xhiros së 13 në ArtMotion Superligën e Kosovës shpallet Ivan Koljeviqi i Prizrenit 16. Koljeviq ishte njëri nga basketbollistët me efikasitetin më të madh në fitoren e vështirë të bardhezinjëve ndaj rivalit lokal, Bashkimit, ai shënoi 24 pikë, prej tyre 4 treshe nga 8 tentime, derisa ishte perfekt nga gjuajtjet e lira apo 10 shënime nga 10 tentime e shtoi edhe një kosh nga dyshet, Koljeviq pati edhe 7 asiste, 5 kërcime e 3 vjedhje topash, për njërin prej indeksëve më të lartë nga plejmejkerët e kësaj xhiroje +29.

2. Fundori i javës këtë xhiro të elitës kosovare ishte Dardan Berisha i Pejës i cili shkëlqeu në fitoren e lehtë të këtyre të fundit ndaj Dritës, ai realizoi plotë 32 pikë, 7 asiste dhe 2 kërcime në këtë duel. Berisha kishte efikasitet efikasitet tejet të lartë sidomos për treshe ku i realizoi plotë 8 sosh nga 12 tentime, shtoi 3 dyshe nga 5 tentime, ndërsa nga gjuajtjet e lira, 2 herë tentoi e 2 herë shënoi dhe natyrisht që kjo performancë i dha atij njërin prej indekseve më të larta të xhiros në Art Motion Superligë prej +34.

3. Në pozitën e alosë në xhiron e 11-të në ArtMotion Superligë, këtë javë e kemi, djaloshin e ri shqiptar nga Shkupi, Lejson Zeqirin e Sigal Prishtinës. Djaloshi fantastik realizoi 20 pikë, 5 kërcime e 3 asiste në këtë fitore meritore të Prishtinës ndaj Trepçës. Lejsoni kishte 5 treshe nga 10 tentime, 2 shënime nga 4 tentime për dyshe dhe 1 gjuajtje të lirë nga 1 tentim. Kjo bëri që Zeqiri të jetë aloja më e mirë e kësaj xhiroje të elitës kosovare me indeksin prej +21.

4. Në pozitën e alo-qendrës këtë javë gjendet veterani i huaj i Bashkimit, Anton Kazarnovski. Edhe pse skuadra e tij u mposht, Kazarnovski shkëlqeu në parket me double-double prej 22 pikëve e 14 kërcimeve, por kishte edhe 5 asiste e 1 bllokadë. Shënimet e tij erdhën kryesisht nga tentimet për dyshe, apo më mirë thënë kishte 7 shënime nga 10 tentime, derisa nga gjuajtjet e lira ishte efikas pothuajse 100% me 8 shënime nga 9 tentime. Për këtë performancë individuale ai u notua me indeksin astronomik prej +33, një prej më të lartëve për këtë xhiro.

5. Dhe në pozitën e qendrës, përsëri në këtë edicion të ArtMotion Superligës në Asist na vjen gjiganti i Prizrenit 16, Urim Zenelaj i cili ishte më efikasi sipas indeksit në fitoren e Prizrenit 16 ndaj Bashkimit, ku dominoi nën-kosha me double-double prej 17 pikëve e 12 kërcimeve, por pati edhe 5 asiste e 1 bllokadë. Zenelaj në këtë duel qëlloi 6 shënime nga 9 tentime për dyshe dhe ishte pothuajse 100% i saktë nga gjuajtjet e lira(5/6), për çka mori notën plus 30, më të lartën për një qendër kte javë.

_______________________________________________________________________

MVP I XHIROS 13 TË ARTMOTION SUPERLIGËS.

DARDAN BERISHA (PEJA)

Krejt në fund, epiteti i MVP-së në xhiron e 13-të në elitën kosovare pa asnjë dilemë të vetme i takon yllit të Pejës, Dardan Berisha i cili ishte fa-nt-as-tik në triumfin e thellë të verdhezinjëve ndaj Dritës, duke bombarduar pothuajse nga të gjitha pozitat.

Berisha në këtë sfidë i realizoi plotë 32 pikë, 7 asiste dhe 2 kërcime, ‘Dali’ kishte efikasitet efikasitet tejet të lartë sidomos për treshe ku i realizoi plotë 8 ‘copa’ nga 12 tentime, duke shtuar edhe 3 dyshe nga 5 tentime, ndërsa nga gjuajtjet e lira, 2 herë tentoi e 2 herë shënoi e me indeksin fantastik prej plus 34, Berisha shpallet lojtari më i mirë në këtë xhiro në ArtMotion Superligën e Kosovës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.