STORIA E SUKSESSHME DHE MODEL E TRAJNERIT SHQIPTAR NË BASKETBOLLIN ITALIAN [INTERVISTË]
Prishtinë(AsistiOnline) – Lajmet e mira nga Shqiptarët në Botë në basketboll kohëve të fundit nuk po vijnë vetëm nga lojtarët, por edhe nga trajnerët që po e ushtrojnë këtë profesion.
I veçantë është rasti i Spiro Lekës i cili tash për tash është shembulli më i mirë i një trajneri të suksesshëm për shqiptarët që duan të marrin për model një bashkëkombas dhe i cili edhe pse u largua në moshë të re nga atdheu, basketbollin shqiptar nuk e harron asnjëherë dhe vazhdon ta përcjellë e është i gatshëm edhe të kontribojë në forma të ndryshme.
__________________________________
AsistiOnline.com ka realizuar një intervistë ekskluzive me njeriun që prej vitesh jeton dhe vepron suksesshëm me basketbollin në Itali, kjo e fundit prej vendeve me basketbollin më të zhvilluar në Evropë.
Spiro Leka gjendet prej vitesh në shtetin e Italisë, por në fakt si po shkon jeta e tij në të gjitha dimensionet atje e tregon shumë qartë vetë ai.
”Italia është shtëpia ime e dytë, u bënë 30 vite që jetoj bashkë me gruan Rudinën. U bë ‘sebep’ ndeshja që luajtëm në vitin 1988 në Kupën e Kampionëve, Partizani – Scavolini. Me 1991 vendosa të vija në Pesaro, ku fillova të punoja si trajner duke i kaluar të gjitha kurset për të marrë licencën e nivelit maksimal në vitin 2004 ”Allenatore Nazionale”, që të jep mundësinë të jesh trajner në të gjitha nivelet. Jeta në Pesaro është në nivel, ku deti ndihmon sidomos në muajt e verës. Vitet e para u bëra trajner dhe punoja. Në Itali janë 8 kategori që luhet basketboll. Jemi të kënaqur që zgjodhëm Pesaron për të jetuar e po të bëjmë një bilanc: Te Scavolini nga 2010 deri me 2018 arrita të kaloj nga trajner i ekipeve u19, u17 e përgjegjës i ekipeve zinxhirë në asistent, zv.trajner dhe trajner i parë, ku arrita të shpëtojë Pesaron nga rënia në A2, duke mundur ”Armani Milanon” në sezonin 2016-17”.
Tashmë ka një përvojë të konsiderueshme në basketbollin italian, por qe sa kohë punon në klubin e Ferraras dhe në çfarë rolesh, si po i shkon në përgjithësi e sa është i kënaqur me drejtuesit e klubit?
”Ardhja në Ferrara me 25 janar 2019, ku klubi ishte në vendin e fundit dhe mungonin 12 ndeshje. Arritëm të fitonim 6 ndeshje duke shpëtuar ekipin nga rënia në Serie B. Klubi më ofroi 3 vite kontratë dhe në sezonin 2019-20, ishim në vendin e tretë në momentin që u ndalua çdo gjë nga Covid 19. Në sezonin 2020-21 ku edhe tash po i ushtroj dy role, drejtor sportiv dhe trajner, arritëm në gjysmëfinale për në A1 me një buxhet jo të lartë. Sa 1/3 e kundërshtarëve (Napoli). Këto rezultate arrihen sepse kam një raport direkt me Presidentin e klubit. Buxheti I qartë, objektivat e qarta e afatgjate, profesionalizëm në të gjitha stadet”, shprehet ai.
Njeriu që ka drejuar edhe Pesaron në Serie A të Italisë, aktualisht ka 5 fitore rresht me Ferraran, porse cili është komenti i tij për këtë seri dhe a beson se do të vazhdojë kështu?
”Kur punon në klub serioz dhe pse filluam sezonin me dy fitore e pesë humbje, duke pasur shumë dëmtime tek lojtarët titullarë, ne vazhdonim të punonim fortë çdo ditë. Erdhën 5 fitore dhe u krijua entusiazëm në klub dhe qytet, sidomos pas fitores me Cento në derbi 82-70. Objektivi është play offi, pastaj çdo gjë mund të ndodhë, po të jemi pa dëmtime mund të fitojmë me të gjithë”.
Cilat janë synimet e tua me Ferraran sivjet, por ndoshta edhe për vitet në vijim?
”Synimet tona mbeten ambicioze, duam të strukturojmë klubin që të jetë tek më të mirat e Serie A2 dhe në 2-3 të provojmë të shkojmë në Serie A1, por jo vetëm si turistë, por të qëndrojmë dhe në vazhdimësi ti ngrisim synimet”, beson shumë trajneri nga Tirana.
Në SerieA2 luajnë edhe disa lojtarë nga Shqipëria, si i vlerëson Spiro performancat e tyre dhe a ka kontakte me ta, apo ndoshta kërkojnë edhe këshilla nga trajneri shqiptar?
”Këtë vit unë jam në kontakt me Celis Taflajn që po e rrit nivelin e tij çdo vit dhe Pullazin që luan në Forli. Bushati e Ndoja vendosën të lozin si protagonistë në Serie B. Me Bushatin jam gjithmonë në kontakt dhe normalisht që të gjithëve dua t’ju ndihmojë pa mëdyshje”.
Karrierën si lojtar e zhvilloi në Shqipëri, por sa po arrin ta shikojë basketbollin shqiptar në përgjithësi, qoftë atë nga Shqipëria, apo edhe nga Kosova. Cili nga ta mendon Spiro se ka përparim më të madh?
”Dritarja ime në basketbollin shqiptar është Melzin Lazimi, një nga trajnerët e rinjë me të ardhme, arrij ta ndjek dhe personalisht. Kam mendimin që në Kosovë klubet janë më të strukturuara, por nuk kanë durim dhe programim për të ndërtuar një sistem që të funksionojë për të rritur cilësinë. Problemi më i madh edhe tek drejtuesit, figura e drejtorit sportiv, ose ”general manager”, duhet të rrisin profesionalizmin sepse kush investon në basketboll nuk duhet të zhgënjehet e të largohet pas 1-2 vitesh. Nuk mund të gjykojë asnjë trajner, por fakti që vjet u ndërruan 24 gjatë sezonit, përbën një rekord. Them se Federata e Basketbollit të Kosovës po punon me cilësi në vitet e fundit. Së shpejti do dalin shumë elemente me cilësi”, thotë Leka.
Federata e Basketbollit te Shqipërisë dhe ajo e Kosovës së fundmi kanë krijuar Ligën e përbashkët shqiptare, si e cilësoni këtë iniciativë dhe a besoni se i bën mirë basketbollit shqiptar mbarëkombëtare?
”Liga Unike është një aktivitet shumë pozitiv për basketbollin e të dyja vendeve. Edhe pse lindi në një periudhë pandemie, po bën hapat e parë ku besueshmëria do të jetë faktori që në të ardhmen do na thotë se në çfarë drejtimi po shkohet. Cilësia e organizimit, menagjimi i mirë mund të ndihmojnë klubet të investojnë e të strukturohen sa më mirë. Rruga është e drejtë por duhet punuar fortë”.
E keni menduar ndonjeherë rikthimin në basketbollin shqiptar, a do të pranonit në rast se do ju vinte ndonjë ofertë tërheqëse?
”Unë jam profesionist, pse jo? Po të vije një ofertë ku ka një program për të ndërtuar diçka ambicioze, merret gjithmonë në konsideratë. Për mungesë të këtyre kushteve unë nuk pranova të merrja postin e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë. Por jam shqiptar, mendoj se mund të ndodhë herët o vonë”.
Për fund, Spiro Leka ka një mesazh për mbarë basketbollin shqiptar:
”Unë mendoj që basketbolli në Kosovë dhe në Shqipëri ka një potencial që po fillon të japë frytet e veta. Rritja e nivelit të trajnerëve është shumë e rëndësishme sidomos për ata që punojnë me moshat nga 5-18 vjeç. Receta është: studimi, puna dhe pasioni.
Uroj gjithë komunitetit të basketbollit të Kosovës e Shqipërisë për një 2022, plotë me suksese. Falemnderit e Gëzuar për të gjithë ju te ASIST!!”, mbyll intervistën trajneri që me të vërtetë është storie e suksesshme e një trajneri shqiptar dhe natyrisht model i mirë.
Të kujtojmë se trajneri Leka e mbylli stinorin vjeshtor me Ferraran në pozitën e 4-të me 7 fitore dhe 5 humbje dhe me gjasa reale që në stinorin pranveror ta kërkojë inkuadrimin në Serie A1 apo Superligë.
Edicionin pranveror skuadra e Ferraras e nisë me 16 janar në shtëpi ndaj Chiusit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.