Basketboll

KAMPIONI AKTUAL ME PAK RISI E SHUMË PRITSHMËRI

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër se kishte paralajmëruar një merkato të nxehtë dimërore, Golden Eagle Ylli deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Kampioni aktual dhe poashtu vjeshtor i elitës kosovare, zyrtarisht nuk e ka kryer asnjë transfer edhe pse AsistiOnline.com ditë më parë raportoi se te therandasit po qëndron në prova një amerikan e kjo në fakt është plotësisht e vërtetë.

Por kush është ky lojtar?

AJ SUMBRY – Është emri i basketbollistit që po provohet nga Ylli, ai është i gjatë 203 centimetra dhe luan në pozitat 4/5, derisa te therandasit vije pas përvojës së fundit me KK Angelin në elitën e Maqedonisë, ku luajti si startues me mesatare prej 11.3 pikëve e 8.3 kërcimeve për ndeshje. Sumbry përpos Maqedonisë, ka luajtur edhe në Danimarkë (Wolfpack) dhe Gjeorgji (Cactus Tbilisi), derisa në SHBA ishte paraqitur me kolegjin nga NCAA1 ”Wagner”. Vendimin final nëse do të qëndrojë ose jo, pritet ta marrë kryetrajneri, Adis Beqiragiq.

Derisa për Sumbryn ende nuk dihet nëse do mbetet pjesë e ekipit, therandasit janë në kërkim minimum edhe të dy lojtarëve, por që si duket janë duke e studiuar mirë edhe situatën e skuadrave të tjera me merkato dhe më pas të godasin aty ku ekipet e tjera duken më dobët. Ajo çfarë dihet është se te Ylli deri në fillim të Kupës së Kosovës e cila mbahet në shkurt, pritet që ekipi të kompletohet me katër lojtarë të huaj.

Pavarësisht shkuarjeve dhe ardhjeve eventuale, Golden Eagle Ylli mbetet njëra prej skuadrave pretendente kryesore për trofe në basketbollin e Kosovës dhe jo vetëm… edhe sivjet.

Ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Golden Eagle Yllit e luan nesër ndaj Trepçës në Mitrovicë me fillim nga ora 19:00.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.