Basketboll

TREPÇA E NISË PRANVERËN MJAFTË E PËRFORCUAR!

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ”minatorëve” që sivjet po zhvillon lojëra fantastike për dallim nga edicionet e viteve të fundit dhe synimet e saj tashmë shihet se janë të qarta, kërkimi i trofeve, këtë e dëshmon më së miri mobilizimi i tyre në afatin kalimtar dimëror.

Mitrovicasit e nisën edicionin e sivjetmë furishëm duke arritur në finale të Superkupës e kjo sikur i motivoi që ambiciet e tyre me kohën të shtohen, pasiqë vjeshtën e mbyllën si liderë së bashku me Golden Eagle Yllin me pikë të barabarta në krye të tabelës.

Bërthama e lojtarëve vendorë te Trepça edhe në pranverë është ruajtur, gjersa rotacioni është shtuar me Amin Hotin i cili nga tash do të njihet si vendor, pasiqë ka marrë nënshtetësinë e Kosovës e natyralizimi i Amin Hotit dhe largimi i qendrës Gerard Blackshear ka bërë që Trepça të krijojë hapësira për dy transfere të reja të huaja e që janë qendra Ryan Wright e fundori Corban Collins.

Por kush janë transferet e huaja të Trepçës?

RYAN WRIGHT – Lojtari në fjalë është i gjatë 206 centimetra dhe ka përvojë të madhe me skuadra të ndryshme nëpër botë, derisa ekipi i tij i fundit ka qenë ”Yugra Surgut” nga Superliga e Rusisë. Përpos Rusisë, Wright ka luajtur edhe në ligat e këtyre shteteve: Turqi (Ormanspor), Ukrainë (Cherkaski Mavpy), Poloni (Włocławek), Venezuelë(Trotamundos), Meksikë(Soles), Finlandë (Kataja dhe Lahti), Hungari (Szombathely dhe Szolnoki), Kanada (River Lions dhe Ottawa Blackjacks), Bullgari (Levski Sofia) etj.

CORBAN COLLINS – Amerikani është i gjatë 190 centimetra dhe luan në pozitat 2/3. Ai njihet veçanërisht për shënimet e tij nga distanca dhe gjysmëdistanca, por e karakterizon edhe eksploziviteti në depërtime. Karrierën profesioniste si lojtar, 21 vjeçari e ka nisur në kolegjin amerikan nga NCAA1, ”Alabama”, gjersa në edicionin e fundit, ka qenë pjesë e skuadrës elitare finlandeze, ”Seagulls” që njëherazit është edhe ekipi aktual i yllit të basketbollit finlandez, Petteri Koponen. Përpos përvojës me finlandezët, Collins ka karrierë të bujshme si bartës i lojës edhe në Itali me Cantun, në Suedi me Lulean dhe në Gjermani me Kirchheimin.

Me këto përforcime që ka bërë, por edhe me fondin e lojtarëve që kishte në vjeshtë, Trepça e Lyubomir Minchevit duket e frikshme dhe e gatshme për luftën në kërkim të trofeve.

Ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Trepça e luan nesër ndaj Golden Eagle Yllit në Mitrovicë me fillim nga ora 19:00.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.