DHURATË PËR ADHURUESIT E BASKETBOLLIT: ASISTI 477 FESTIV
PËRMBLEDHJA VJETORE E BASKETBOLLIT KOSOVAR DHE NDËRKOMBËTARË ME DY INTERVISTA SPECIALE
Adhurues të basketbollit,
kudo që jeni: në Kosovë, Evropë apo kudo në botë: AsistiOnline ju uron Vitin e Ri 2022!
Si dhuratë speciale për këtë fillimvit AsistiOnline ju sjell ASISTIN 477 FESTIV me shumë materiale speciale dhe përmbledhjet vjetore të basketbollit femëror dhe të meshkujve.
Basketbolli i femrave gjatë vitit 2021 pati shumë ngjarje interesante por edhe historike, sikurse ishte debutimi i Përfaqësueses A të femrave dhe starti i Ligës Unike për Femra.
Pa dyshim se, viti 2021 i basketbollit femëror kaloi në shenjë të Penzës e cila fitoi tre trofe kurse shtyllë e atij suksesi ishte Valbona Bytyqi.
Valbona e cila përveç faktit se është lojtare, ajo është edhe trajnere, edukatore në kopsh të fëmijëve në Pejë dhe para se gjithash, nënë e një vajze të bukur me emrin Inara.
Thjeshtë, Valbona është një shembull i jashtëzakonshëm i një gruaje të suksesshme dhe të fortë kosovare e cila e meritoi epitetin e Personalitetit të Vitit 2021 në basketbollin femëror të Kosovës. Me këtë rast, ASISTI vizitoi Valbonën dhe solli një tregim të bukur me të cilin e filluam vitin 2022.
Në basketbollin e meshkujve gjatë vitit 2021 po ashtu një skuadër dominoi plotësisht dhe shënoi het-trick të trofeve: Golden Eagle Ylli.
Therandasit për 46 vite të ekzistimit nuk fituan asnjë trofe ndërsa vjet i fituan tre. Dy prej këtyre trofeve ishin historike jo vetëm për klubin por për basketbollin mbarëkombëtar shqiptar në përgjithësi sepse Ylli u bë kampion i parë në histori të Ligës Unike, garë e cila bashkoi sportin e Kosovës dhe të Shqipërisë ndërkohë, në vjeshtë, ngriti edhe trofeun e parë në histori të Superkupës Mbarëkombëtare.
Arkitekt i këtij suksesi pa asnjë dyshim ishte trajneri Adis Beqiragiqi i cili me punën e tij solli sukseset për të cila basketbolli therendas priti gati gjysmë shekulli andaj ASISTI e shpalli Personalitet të Vitit 2021 për basketbollin e meshkujve. Me këtë rast, ASISTI zhvilloi bisedë shumë simpatike me trajnerin Beqiragiq dhe ju do të mund ta shikoni në linkun më poshtë.
Shqiptarët në Botë është blloku më unik dhe i dashur në ASIST sepse aty, nga java në javë, keni mësuar për sukseset e basketbollistëve tanë në arenën ndërkombëtare. Kur e rrumbullakojmë vitin 2021, një emër u dallua nga tjerët dhe na bëri shumë krenar: Edon Maxhuni.
Edoni pati një vit fantastik si me klub ashtu edhe me reprezentacionin e Finlandës duke marr një hap të madh drejt majave të basketbollit evropian
Natyrisht, rrugëtimin basketbollistik të vitit 2021 në ASIST e vazhdojmë me vizita parketeve ndërkombëtare duke rikujtuar se çka ka ndodhur gjatë vitit 2021 në ABA dhe Euroleague kurse nga Evropa do të kalojmë përtej Oqeanit Atlantik në NBA ku viti 2021 ishte shumë i pazakonshëm dhe plot me rekorde të reja.
Pas 50 vjetëve Millukoi e kthey titullin në shtëpi kurse topi Willson pas plot 35 viteve përsëri bëhet top zyrtar.
Këto dhe shumë ngjarje tjera interesante do t’i shikoni në ASISTIN 477 FESTIV i cili përmbyllet me turneun olimpik në LOV Tokio 2020 ku basketbolli pati jo një por dy disiplina pasi ishim dëshmitar të debutimit të basketbollit 3×3 në olimpiadë.
Adhurues të basketbollit,
duke ju dëshiruar shumë shëndet, gëzim e lumturi dhe natyrisht shumë basketboll të bukur e atraktiv dhe kthimin e atmosferave fantastike basketbollistike në palestrat tona, ASISTIONLINE ju prezanton komplet ASISTIN 477 FESTIV
Qëndroni të shëndosh, të lumtur dhe natyrisht: zemrat tuaja le t’i ngroh dashuria për basketboll.
URIME VITI I RI 2022!
Komentet janë të mbyllura.