EKSKLUZIVE: I BIRI I MUJO THAÇIT, METI AFËR NËNSHKRIMIT ME DARUSSAFAKAN TURKE
Prishtinë(AsistiOnline) – Muhamed-Mujo Thaçi është një prej basketbollistëve më të suksesshëm shqiptarë ndër vite e si duket hapat e tij do i përcjellë me sukses edhe i biri i tij, Meti.
Djaloshi i ri 18 vjeçar nga Ilirida e Maqedonisë, është afër nënshkrimit me gjigantin dhe dy herë kampionin e basketbollit turk, Darussafaka.
Lajmin në fjalë e ka konfirmuar ekskluzivisht për AsistinOnline, pikërisht Meti i cili ka potencuar se është afër të bëhet lojtar i ekipit të madh turk dhe se kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për tu biseduar që të kompletohet.
”Po është e vërtetë se jam në bisedime të avancuara me Darussafakan, kanë mbetur edhe disa detaje të vogla, por besoj se shpejtë gjithçka do të finalizohet pozitivisht”, u shpreh Thaçi Jr.
Meti luan në pozitat 1/2 me theks të veçantë në atë të organizatorit dhe është basketbollist që e karakterizon shpërthimi në depërtime, por edhe shuti nga distanca e gjysmëdistanca.
I biri i Mujës këtë sezon ka luajtur si bartës i lojës me skuadrën shqiptare ”Çair 2030” në Ligën e parë maqedonase të cilët sivjet nuk dinë për humbje dhe janë bindshëm pretendentë për inkuadrim në elitën maqedonase.
Vlen të ceket se deri tani, Meti ende nuk është paraqitur për Kombëtaren e Maqedonisë dhe ky duhet të jetë rast ideal për drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës që ta ‘joshin’ atë për ta ftuar te Kosova, një djalosh me të ardhme të ndritur në basketboll.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.