Basketboll

TREPÇA E MPOSHT PRISHTINËN ME MUND TË MADH PAS VAZHDIMEVE

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka fituar super-përballjen ndaj Sigal Prishtinës në kuadër të xhiros 20 në ArtMotion Superligën e Kosovës edhe pse me tepër telashe.

Mitrovicasit kanë triumfuar ndaj Prishtinës vetëm pas vazhdimeve 94-90, kjo pasiqë koha e rregullt u mbyll baraz 80-80.

Rrjedha e ndeshjes ishte tepër interesante me vendasit që fituan çerekun e parë ngushtë 28-25, derisa edhe i dyti ju takoi ngushtë atyre 19-17 dhe ekipet shkuan në pushim mes pjesëve me avantazhin e Trepçës 47-42.

Në pjesën e dytë, Trepça përsëri e nisi pak më mirë duke e fituar ngushtë çerekun e tretë 16-14, por në periodën e fundit falë lojës fantastike të amerikanit Kenny Brown, Prishtina e fitoi çerekun e katërt 17-24 dhe me treshe në sekondën e fundit, Brown e dërgoi ndeshjen në vazhdime (80-80).

Në vazhdimin prej 5 minutave u luajt lojë e fortë, por vendasit u treguan pak më të mirë duke e fituar me 4 pikë diferencë (14-10), sikurse ndeshjen që është shumë e vlefshme për ta.

Pothuajse komplet pesëshja startuese e Trepçës sonte arriti pikë dyshifrore, Drilon Hajrizi (21), Corban Collins (19), Amin Hot (16) dhe Andrew Gordon (15).

Te Prishtina s’mjaftoi për fitore performanca e lartë e Kenny Brownit që kishte 29 pikë, 4 asiste, 3 kërcime e 2 vjedhje topash.

Pas xhiros 20 në ArtMotion Superligën e Kosovës, Trepça gjendet e 2-ta me 14 fitore, 6 humbje e 34 pikë. Ndërsa, Prishtina tash ka 10 fitore e 10 humbje në pozitën e 4-të me 30 pikë.

Në xhiron e ardhshme, Trepça i shkon Rahovecit e Prishtina e pret Prizrenin 16.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.