PRISHTINA E MPOSHT PËRSËRI PENZËN, KËSAJ RADHE NË SUPERLIGËN E KOSOVËS
Prishtinë(AsistiOnline) – KBF Prishtina e ka mposhtur Penzën në derbin e xhiros 15 në Superligën e Kosovës për femra.
Vashat prishtinase triumfuan çaste më parë në udhëtim te ato pejane me shifrat e ngushta 82-87.
Për dallim nga ndeshja e para tri ditëve, ku dallimi në rezultat ishte i thellë, sonte vashat pejane e rivalizuan Prishtinën deri në fund por që nuk arritën fitoren. Vashat bardhekaltër sot fituan tri periodat me rezultat të ngushtë (20-22, 21-23, 19-21), derisa çereku i dytë (22-21) nuk mjaftoi për Penzën.
Katër lojtare arritën pikë dyshifrore te Prishtina sonte, Agnesa Rrahmani që vazhdon me formë të lartë në xhirot e fundit, kishte 26 pikë e 7 kërcime, veteranja Arbnore Përçuku që ishte afër shifrave magjike triple-double, 23 pikë, 10 asiste e 9 kërcime, Tynice Martin shtoi 16 dhe Sarah Mgbeike me double-double (14pk, 10krc).
Te Penza ishin të pamjaftueshme për fitore, kapitenja veterane, Valbona Bytyqi me double-double (23pk, 11krc), reprezentuesja e Kolumbisë, Narlyn Mosquera me 19 pikë, Jeta Zeka me 16 e Rael Whitsitt me 13 sosh.
Pas xhiros 15, Prishtina mbetet e pamposhtur në elitën kosovare me 15 fitore nga po aq ndeshje dhe 30 pikë në tabelë. Derisa, Penza po e rrezikon pozitën e dytë me 11 fitore e 4 humbje në pozitën e dytë me 26 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Prishtina i shkon Kastriotit e Penza e pret Trepçën.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.