SELEKTORIT TË MAQEDONISË DHE TRAJNERIT TË IGOKEAS, DRAGAN BAJIQIT I NDALOHET HYRJA NË KOSOVË
Trajnerit serb të basketbollit, Dragan Bajiç, që udhëheq klubin e Igokeas nga Bosnja dhe ka rolin e selektorit të Maqedonisë së Veriut i është ndaluar hyrja në shtetin e Kosovës.
Bajiç në Kosovë donte që të hynte vetëm tranzit për të udhëtuar në Stamboll. Mirëpo, atij i është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës nga autoritetet e vendit tonë.
Trajneri që është zgjedhur më i miri në ABA League në sezonet 2013 dhe 2022, do të fluturonte nga Prishtina në Stamboll e më pas deri në Gjeorgji.
Megjithatë, autoritetet kosovare nuk ja kanë lejuar atij këtë gjë, kështu që Bajiç është i vetmi nga grupi i Maqedonisë së Veriut, që nuk ka mundur të udhëtojë për në Prishtinë.
“Jam aktualisht në Shkup dhe jam i shokuar që nuk do të jem i lejuar të hyj në territorin e Kosovës”, tha Bajiç.
“Nuk kam ndonjë shpjegim se pse kjo gjë ka ndodhur”, shtoi ai.
“Është krijuar një problem i panevojshëm për federatën e Maqedonisë, sepse ata tashmë janë të detyruar të kërkojnë alternativa që të më dërgojnë mua në Stamboll për t’u takuar me pjesën tjetër të ekipit”, u shpreh Bajiç.
“Unë tani nuk do të jem në gjendje të stërvisë skuadrën time, sepse do të më duhet të shkoj në Stamboll më herët”, mbylli ai. /Albanianpost.com
Komentet janë të mbyllura.