EKSKLUZIVE (VIDEO LAJM): ISH-NBA YLLI JIRI WELSCH FLET PËR ASIST
HAPJA ZYRTARE E PROGRAMIT JR.NBA NË KOSOVË
Adhurues të basketbollit, mysafirë tejet të veçantë dhe special në ASISTIN 483 ishin ylli i dikurshëm i NBA Jiri Welsch (ish lojtar i Golden State, Bostonin, Cleveland dhe Milwaukee ) së bashku me përgjegjësin e programit Jr.NBA për Kosovë, Adrian Carrion Armas.
Welsh, tash ambasador i Jr.NBA dhe Carrion Armas, në studion e ASISTIT shpalosën detaje për fillimin e bashkëpunimit të NBA me Federatën e Basketbollit të Kosovës për krijimin e partneritetit të ri për ligën e parë të basketbollit Junior NBA në Kosovë për djem dhe vajza të moshave 11-14 vjeçe.
Në vazhdim sjellim videon kurse më poshtë edhe transkriptin e bisedës. Lajmet ekskluzive të basketbollit kosovar kalojnë ekskluzivisht nëpër ASIST. Kënaquni !
AGONI: Zotërinj, mirëserdhet në Kosovë, është nder të ju kemi në Kosovë dhe këtu në ASIST.
ADRIAN: Faleminderit
JIRI: KËNAQËSI të jemi këtu.
AGONI: Në fakt, më lejoni të ia nisi me Adrianin sepse ai ndihet tani si në shtëpi. Mirë se erdhe përsëri në Kosovë.
ADRIAN: Faleminderit, faleminderit që më keni ftuar. Është e mrekullueshme të jem përsëri këtu.
AGONI: Tre vite më parë, më saktësisht më 18 Maj 2019 ishit përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të sponsorizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, që erdhët të punoni për Basketbollin Femëror në Kosovë dhe për të ndarë eksperiencat tuaja. Atëkohë ishit të shoqëruar me ish yjet e WNBA, Ruthie Bolton dhe Chineze Nwangbo.Pra, është kënaqësi t’ju kemi përsëri këtu. Atëbotë biseduam për Programin Jr. NBA dhe mundësinë e bashkëpunimit me Federatën e Basketbollit të Kosovës, të cilit ishin interesuar të jenë pjesë e këtij programi shumë të vlefshëm për vajza dhe djem në Kosovë. Pyetja ime asokohe ishte “ A ka Kosova potencial të jetë pjesë e programit Jr.NBA” ndërsa ju m’u përgjigjet se “ do ta vlerësojmë kërkesën e Federatës së Basketbollit të Kosovës”. Ndërkohë ndodhi COVIDI dhe shumë gjëra ndryshuan por gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është se, pas tre vitesh jeni përsëri këtu në Kosovë duke e nisur këtë program në Kosovë dhe duke e hap një faqe të re në historinë e basketbollit kosovar. A mund të na tregoni si u zhvillua bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit të Kosovës gjatë kësaj periudhe deri në marrëveshjen finale?
ADRIAN: Unë mendoj që ju jeni shumë me fat që keni një Federatë të përgatitur këtu në Kosovë. Nga momenti i parë kur ne e kemi përmendur këtë program atyre ju pëlqeu shumë dhe ishin të interesuar të bashkohen me ne, të bëhen pjesë e bashkëpunimit që e kemi në Evropë dhe më shumë se 28 shtete. Ju i keni të gjitha: njohuritë, infrastrukturën, njerëzit që duan ta bëjnë këtë dhe për këtë arsye, më në fund pas 3 vitesh, ndërsa ndodhi edhe Covidi, arritëm ta finalizojmë këtë bashkëpunim dhe nesër do ta mbajmë NBA Draftin e parë për ta nis këtë projekt.
AGON: JIRI, është kënaqësi të kemi këtu. Ju e njihni mirë këtë regjion pasi keni luajtur për Union Olimpijan me të cilën fituat kampionatin e Sllovenisë, gjithashtu edhe ABA Ligën dhe nëse nuk gaboj, ishit dy herë fitues i Kupës në Slloveni para se të shkoni në NBA dhe të luani për Golden State, Bostonin , Clevlandin dhe Milëaukeen. Një karrierë e mrekullueshme dhe fëmijët kosovarë janë shumë me fat që do të e dëgjojnë këtë eksperiencë nga dora e parë. Çka do t’ju tregoni atyre?
JIRI: Fillimisht, faleminderit shumë për mundësinë që të jemi këtu bashkë me juve në ASIST. E vërtet që e njoh mirë këtë regjion pasi i kam kaluar disa vite shumë të rëndësishme të jetës dhe karrierës sime. Unë mendoj që Jr. NBA është një projekt shumë emocionues dhe mundësi shumë e mirë për të gjitha nivelet. Së pari, është mundësi shumë e mirë për fëmijët që asnjëherë nuk kanë luajtur basketboll më parë, që ta provojnë lojën e basketbollit dhe ta përjetojnë këtë eksperiencë. E dyta, zakonisht fëmijët luajnë basketboll të organizuar në ekipet e tyre e kësaj radhe është një mundësi ndryshe: që ata t’i përfaqësojnë shkollat e tyre, institucionet ku ata shkollohen dhe e treta mendoj se është me të vërtetë një mundësi unike t’i bëjnë hapat e parë dhe të luajnë basketboll nën drejtimin e NBA sepse NBA është liga më e fortë në botë dhe gjitha projektet që organizohen në mbarë botën janë të mrekullueshme, duke e përfshirë edhe Jr.NBA dhe kështu e krijojnë këtë lidhje emocionale ndërmjet tyre, shkollave të tyre, klubeve dhe klubeve të NBA. Është mundësi e mrekullueshme.
AGONI: Po, po çfarë do t’i tregoj atyre?
JIRZHI: Çfarë do t’i tregoj atyre? Do t’i tregoj se ata kanë një shans; kanë një mundësi të ndjekin këtë rrugë dhe ndoshta një ditë të luajnë në NBA sepse, mund të duket një gjë e vështirë për një fëmijë nga Kosova, por më besoni se është e mundur.
AGONI: Të jetosh ëndrrën dhe ta realizosh ëndrrën.
JIRZHI: Po! Ky është mesazhi të cilin dua ta shpërndaj kudo që shkoj. NBA ka të bëjë me një ëndërr dhe ju duhet ta keni një ëndërr dhe ta përjetoni atë në mënyrë që ta bëni realitet sepse ka qindra mijëra fëmijë tjerë që ëndërrojnë për të arritur aty dhe duhet kuptuar se kjo nuk ndodhë brenda një nate por kërkon shumë punë, dedikim dhe se me shumë stërvitje mund të arrihet.
AGONI: Dhe tani ju po e sillni këtë në Kosovë me programin e NBA Junior, kjo është shumë gjë e mirë.
AGONI: Adrian na trego rreth programit të NBA Junior në Kosovë në këto dy ditë?
ADRIANI: Do të tregojmë se si do të shkojnë gjërat dhe të informojmë pjesëmarrësit se çfarë ne presim, së bashku me Jirzhin dhe punën tonë që po e bëjmë këtu me Federatën e Basketbollit. Plani që ne kemi kërkon shumë takime, përgatitje, ka shumë pritshmëri që duhet të realizohen madje edhe nga ana e jonë me standardet që kemi dhe jam i sigurt se do të arrihen. Do të marrim pjesë në disa aktivitete të ndryshme… nesër do të kemi Përzgjedhjen e NBA Junior, që do jetë ngjarja e parë mirëpo gjithashtu do të marrim pjesë edhe në aktivitete të ndryshme që do të jenë shumë të rëndësishme për disa prej fëmijëve më të mirë këtu ndër to edhe t’ju japim rastin për të takuar një legjendë nga NBA siç është Jirzhi.
AGONI: Në rregull, Jirzhi ti na tregove se pse ky program është i rëndësishëm për fëmijët këtu mirëpo gjatë kësaj periudhe prej 2 apo 3 muajve, çfarë do të mësojnë ata?
JIRZHI: Fëmijët mund të mësojnë gjëra të reja nga basketbolli, të krijojnë lidhje shoqërore me bashkë-lojtaret dhe madje ndoshta edhe me kundërshtarët por unë mendoj se gjithashtu ata do të krijojnë një lidhje personale me NBA-në. Unë jam i sigurt se Kosova e njeh NBA-në mirëpo tani edhe fëmijët do e kuptojnë se edhe NBA interesohet dhe ka mësuar për ta dhe kështu mendoj se do të krijojmë një lidhje të veçantë mes tyre dhe klubeve të NBA ndoshta edhe me klubin e tyre të preferuar ose lojtarin e preferuar nga NBA dhe unë mendoj se kjo është një mundësi fantastike për ta.
AGONI: Mirë, Adrian çfarë do të ndodh pas fillimit të programit të NBA Junior në Kosovë, çfarë do të ndodh në muajt në vijim.
ADRIANI: Fillimisht kemi hapjen e ligës nesër e pastaj fëmijët do të kenë ndeshjet e tyre të sezonit të rregullt, Play Offin, finalet dhe në fund do të kemi një fitues të Junior NBA këtu në Kosovë. Përveç asaj ne do të kemi edhe disa mundësi tjera që vijnë me këtë ligë…. Njëra nga to është përzgjedhja në kampin e ekipit të NBA që është një mundësi për një fëmijë, djalë apo vajzë, si dhe një trajneri nga Kosova që ta përfaqësojnë vendin e tyre në kampin e Junior NBA dhe t’i mundësoj atyre të vizitojnë shtete të ndryshme, të marrin pjesë në kampe të ndryshme dhe pse jo ta përfaqësojnë skuadrën e Evropës në Kampionatin Botëror të cilin e organizojmë çdo vit në Orlando të Floridasë.
AGONI: Kjo është gjë fantastike.
AGONI: Jirzhi a ke diçka për të shtuar për fansat e basketbollit në Kosovë.
JIRZHI: Unë do të doja t’iu them ta shijojnë këtë eksperiencë sepse mendoj që është shumë gjë emocionuese kur NBA vjen për herë të parë në shtetin tuaj me programin Junior. E mbaj mend kur Junior NBA erdhi për herë të parë në Republikën Çeke dhe ishte definitivisht një mundësi shumë emocionuese dhe fëmijëve ju porosisë atë që e thash parës : Vazhdoni të ëndërroni dhe vazhdoni të punoni, Kosova nuk është një shtet i madh por edhe unë vijë nga Çekia, edhe ne jemi një shtet i vogël dhe unë kam lindur në një fshat shumë të vogël ku nuk kishte fare basketboll… asnjë nga familja ime nuk luajti basketboll mirëpo një ditë unë ëndërrova dhe më pas e ndjeka atë ëndërr e cila u realizua dhe ky ishte një nga momentet më të mira në jetën time kur u bëra një lojtar i NBA. Do doja t’ua bëja me dije fëmijëve në Kosovë se edhe ata kanë mundësi për ta realizuar ëndrrën e tyre.
AGONI: Zotërinj faleminderit që ishit këtu me ne në ASISTIN e sotëm dhe faleminderit që po nisni këtë projekt të madh në vendin tonë. Ne do jemi së bashku në këtë kohë dhe do iu ndjekim nga afër. Kënaquni dhe kaloni bukur në Kosovë.
ADRIANI DHE JIRZHI (Një-zëri): Faleminderit
Komentet janë të mbyllura.