KBF PRISHTINA E MBYLL STINORIN E RREGULLT NË LIGËN UNIKE ME FITORE NË DERBI
Prishtina ka triumfuar në derbin ndaj Flamurtarit të Vlorës me rezultat 95:82 (35:13, 23:24, 22:28, 15:17), në xhiron e dhjetë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave, apo të fundit për garat e rregullta.
Tani të dy skuadrat kanë nga shtatë fitore dhe tri humbje dhe do të ndeshen edhe në gjysmëfinale të “Play-off”-it, kurse çifti tjetër gjysmëfinal është Penza-Bashkimi.
Vendaset e nisën më mirë ndeshjen, me një seri prej 16:5, e më pas e thelluan epërsinë në 31:7, ndërsa çereku i parë përfundon 35:13. Perioda e dytë ishte kryesisht e barabartë, me prishtinaset që kontrolluan lojën, duke mos lënë mysafiret të afrohen, ndërsa pjesa e parë përfundon 58:37.
Epërsia e prishtinaseve në periodën e tretë shkoi në 25 pikë, 65:40, por më pas vashat nga Vlora ngushtojnë shifrat në 15 pikë, 80:65, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit vashat prishtinase menaxhuan lojën dhe epërsinë, duke triumfuar në fund me shifrat 95:82.
Te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 28 pikë, 13 kërcime e tri asistime, Stasha Carey me 13 pikë e 12 kërcime dhe Arbnore Përquku me 23 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime, kurse te Flamurtari u dalluan Samra Omerbasic me 19 pikë e 12 kërcime dhe Laura Johnson me 26 pikë e 11 kërcime.
/LigaUnike/
Komentet janë të mbyllura.