HISTORIKE: LORELA CUBAJ SHQIPTARJA E PARË NË WNBA
Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollistja me prejardhje shqiptare, Lorela Cubaj e ka prekur ëndrrën e saj në basketboll e tash i mbetet ta tregojë veten.
Vajza që ka prejardhje nga Shqipëria, por e lindur dhe rritur në shtetin e Italisë, bëhet shqiptarja e parë që ka arritur të futet në ligën më të fortë të basketbollit në botë për femra, WNBA, shkruan AsistiOnline.com
Cubaj, 23 vjeçare është e lindur në Termi të Italisë, derisa ka një gjatësi të konsiderueshme prej 193 centimetrave dhe luan në pozitën 5.
Ajo është përzgjedhur nga skuadra e New York Liberty në raundin e dytë të draftit të WNBA-s, në një shkëmbim që klubi bëri me ekipin tjetër nga WNBA, Seattle Storm.
Për pesë sezone rresht nga viti 2017 e deri në 2022, basketbollistja me prejardhje shqiptare luajti te kolegji nga ”Georgia Tech”, ku ishte zgjedhur dy herë si lojtarja më e mirë defensive në ligën e kolegjeve nga NCAA1.
Menjëherë pasi u fut në ligën më të fortë në botë, Cubaj ka shkruar se është tejet falënderuese për shansin e dhënë që të jetë pjesë e një ekipi të NBA-së te femrat dhe do të mundohet ta shfryëzojë në maksimum.
Cubaj karrierën si basketbolliste e kishte nisur në vitin 2014 në Itali, duke ju bashkuar ekipit të Reyer Venezias ku ishte zhvilluar për 3 vjet dhe debutimin në ekipin e parë e kishte bërë në sezonin 2015-16, derisa karrierën në këtë skuadër e kishte mbyllur me 41 ndeshje e ku më pas kishte arritur të tërheqë vëmendjen e disa universiteteve amerikane. Pas shqyrtimit të ofertave ajo vendosi të ndjekë studimet në institutin e Teknologjisë në Georgia, ku edhe luajti basketboll me ekipin e femrave.
Statistikat e deritanishme në karrierën e saj janë, 10 pikë, 11.1 kërcime, 2.6 asiste, 1.3 vjedhje topash e 1.1 bllokada.
Vlen të ceket se qendra me prejardhje shqiptare, mbron ngjyrat e Kombëtares së Italisë, madje ka kaluar pothuajse në të gjitha grupmoshat e atjeshme të ekipit, duke filluar nga U17, U18, U19, U20 dhe nga viti 2019 edhe me ekipin A.
Sigurisht që kjo mund të quhet arritje e jashtëzakonshme për basketbollin mbarëshqiptar, ngase është hera e parë që një shqiptare, qoftë edhe nga meshkujt arrin të nënshkruajë kontratë profesioniste në këtë rang të basketbollit që është dukshëm më i forti në botë.
Shpresojmë dhe besojmë që kjo vajzë të jetë model i gjeneratave të reja për basketbollistet e reja në Kosovë dhe Shqipëri e të shërbejë si mësim se me punë arrihet çdo gjë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.