Basketboll

FBK NËNSHKRUAN MARRËVESHJE ME SPORTRADAR, KOMPANI E MONITORIMIT TË NDESHJEVE

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar sot se ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Sportradar, ku kjo e fundit do të bëjë monitorimin e ndeshjeve që zhvillohen në kuadër të FBK-së nëpërmjet Sistemit Universal të Zbulimit të Mashtrimit (“UFDS”), metodë kjo tejet e sofistikuar për të siguruar zbulimin e bastvënësve apo atyre që synojnë të bëjnë manipulimin e ndeshjeve.

“Federata e Basketbollit e Kosovës e ka për synim të ruajë integritetin e garave që zhvillohen në ombrellën e saj, andaj pas bisedimeve dhe këshillave nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka vendosur që të angazhoj kompaninë Sportradar, e cila tashmë është e njohur botërisht për monitorimin, investigimin dhe raportimin për ndeshjet që vihen në bast, por edhe ato që manipulohen”, ka deklaruar Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së.

Sportradar ka marrëveshje bashkëpunimi me shumë Federata Nacionale, por edhe me FIBA-n, si dhe me NBA, me Federata të sporteve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe UEFA-n e FIFA-n, si dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Sportradar u ofron federatave dhe agjencive të zbatimit të ligjit një sistem për zbulimin e fiksimeve të ndeshjeve të lidhura me bastet. Këto shërbime operohen nga divizioni i Shërbimeve të Sigurisë së Sportradar, me seli në Londër.

Sistemi i Zbulimit të Mashtrimit funksionon duke krahasuar modelet e lëvizjes së koeficienteve nga bastvënësit në internet me modelet e pritshme të lëvizjes së kuotave për një ndeshje të caktuar. Kur konstatohen ndeshje të dyshimta, ato analizohen dhe më pas raportohen në federatën përkatëse.

Federata më pas mund të fillojë hetimet e veta. Që nga viti 2015, Sistemi i Zbulimit të Mashtrimit monitoron 65 000 ndeshje në 11 sporte, gjysma e tyre në futboll. Çdo ditë, sistemi merr afërsisht 5 miliardë rregullime të gjasave nga rreth 450 bastvënës të ndryshëm.

“Ne jemi shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga Sportradar dhe jemi të gatshëm, por edhe kemi vullnet që të bashkëpunojmë ngushtë edhe me FIBA-n për të luftuar dukuritë negative në sport, siç është edhe manipulimi i ndeshjeve, andaj ne premtojmë se do të bëjmë më të mirën dhe do të angazhohemi maksimalisht për një sport të pastër”, ka shtuar Fetahu.

Duhet theksuar se kohë më parë Federata e Basketbollit e Kosovës e ka emëruar edhe Personin Kontaktues për Integritet në FBK (SPOC), me kërkesë të FIBA-s, duke e përfshirë atë edhe në Statutin e FBK-së pas miratimit të marr nga delegatët e Kuvendit të Punës të FBK-së të mbajtur më 26 Mars 2022.

Komentet janë të mbyllura.