VIRTUS BOLOGNA E FITON EUROCUPIN, RIKTHEHET NË EUROLIGË PAS 14 VITEVE
Prishtinë(AsistiOnline) – Virtus Bologna rikthehet në Euroligë për herë të parë që nga sezoni 2007-08.
Skuadra italiane me traditë të madhe në basketbollin italian dhe evropian, Virtus Segafredo Bologna arriti ta fitojë finalen e madhe të Eurocupit sonte ndaj senzacionit të këtij viti, ekipit turk të Frutti Extra Bursaspor me rezultatin përfundimtar 80-67, për të kapur një biletë për sezonin 2022-23 të EuroLeague.
Virtusi do të bëjë një rikthim të shumëpritur në kompeticionin kryesor të Evropës, pasi kishte garuar për herë të fundit atje në sezonin 2007-08. Kjo do të shënojë gjithashtu një rikthim historik të trajnerit spanjoll, Sergio Scariolo në Euroligë, për herë të parë që kur drejtoi Baskonian në Top 16 gjatë edicionit 2013-14.
Veterani serb, Milos Teodosic ishte atuja kryesore e Virtusit, sonte në finalen e madhe me 21 pikë, ku prej tyre qëlloi 4 treshe 8 tentime, derisa u ndihmua edhe nga Mouhammadou Jaiteh e Kyle Weems me nga 13 pikë, si dhe veterani italian, Marco Belinelli që realizoi 12 pikë.
Tek Bursaspori që padyshim se sivjet është senzacion i basketbollit evropian, s’mjaftuan për fitore sonte Dave Dudzinski me 14 pikë, Onurapl Bitim me 12 pikë dhe Kevarrius Hayes e Derek Needham me nga 11 pikë.
Të kujtojmë se Virtusi është dy herë kampion i Euroligës gjatë stinorëve 1997–98, 2000–01 e stinorin e kaluar ishte gjysmëfinalist i Eurocupit.
MVP i finales së madhe, sonte u shpall Milos Teodosic.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.