Basketboll

FEJTON EKSKLUZIV: NDESHJET MË TE ÇMENDURA NË HISTORINË E BASKETBOLLIT TË KOSOVËS (PJESA 2)

MABETEX – SIGAL PRISHTINA, SUPER-DUELI I 12 SHKURTIT 2005 QË E MBAN PRIMATIN

Prishtinë(AsistiOnline) – Artmotion Superliga e Kosovës dhe elita e basketbollit kosovar gradualisht po e kthen shkëlqimin e humbur dhe primatin e sportit më të shikuar në vendin tonë. Me rikthimin e Asistit dhe pas revolucionit që nisi në vitin 2018 në adresën ku rrah zemra e basketbollit në vendin tonë, Artmotion, ishin muajt e fundit e vitit 2019 dhe fillimit të 2020-tës kur atmosfera fantastike basketbollistike me palestra të stërmbushura u kthye. Sidomos kujtojmë turneun Final 8 të Kupës së Kosovës 2020 që u organizua në palestrën Mizahir Isma të Rahovecit (11-15 Shkurt 2020) kur interesimi arriti kulmin dhe ato ambientet e “harruara” sikurse në periudhën e artë 2000-2006 u rikthyen. Mirëpo, me 13 Mars 2020 e tërë bota u ndal pas shpërthimit të pandemisë COVID19. Korona virusi e bëri të veten dhe e ndali hovin e zhvillimit të interesimit për basketbollin kosovar por kjo situatë ngadalë u tejkalua dhe aktualisht palestrat tona filluan të stermbushen dhe atmosfera është përsëri ajo atmosfera e dikurshme: fantastike basketbollistike.

Rodney Purvis (TRE) në aksion

Dëshmitar të një ambienti të ngjashëm ishim edhe të enjten mbrëma në Minatori, në duelin e dytë gjysmëfinal të Play Offit të Artmotion Superligës 2021/22, Trepça – Peja. Mbi 4 mijë shikues në palestër, rreth 10 mijë kërkesa për bileta dhe drama fantastike basketbollistike e cila u vendos vetëm pas dy vazhdimeve dhe për pak sa nuk shkoi në vazhdimin e tretë ndikoi që kjo ndeshje të hyj në antologji të basketbollit. Në fakt, këto dy vitet e fundit ishim dëshmitar të disa ndeshjeve fenomenale që përfunduan pas dy vazhdimeve. Pra, me 12 MAJ 2022, klasikja e basketbollit kosovar Trepça – Peja hyri në histori të basketbollit kosovar si një prej super-ndeshjeve që nuk do të harrohen kurrë. Dueli u fitua nga Trepça me rezultat të ngushtë 107:105 pas dy vazhdimeve (84:84; 95:95). Ndeshje të ngjashme “të çmendura” patëm edhe në edicionin e sivjetmë kur në Therandë, me 31 TETOR 2021, në kuadër të Artmotion Superligës dhe Ligës Unike (vlerësohej për të dyja garat) Golden Eagle Ylli dhe Peja përgatiten triler fantastik i cili po ashtu me treshe në sekondat e fundit shkoj në dy vazhdime dhe në fund ishte Ylli ai i cili fitoi me rezultat maksimalisht minimal 93:92 (71:71;84:84). Në rikujtim të këtyre ndeshjeve duhet theksuar se, nuk ishte vetëm Peja ajo e cila hyri në histori me ndeshje dramatike që shkuan në dy vazhdime pasi edhe mitrovicasit vitin e kaluar, me 27 SHKURT 2021, në Minatori zhvilluan triler fenomenal kundër Ponte Prizrenit dhe në fund fituan maratonën dramatike ndaj prizrenasve pas dy pjesëve shtesë, me rezultat 116:114 (89:89; 98:98).

 

Por cila është ndeshja më e “çmendur” në historinë e basketbollit të pavarur kosovar?

Për ju adhurues të basketbollit që e mbani mend mirë periudhën e artë të basketbollit të pasluftës 2000-2006 Asistionline rikujton ndeshjen më të trentë ndonjëherë kurse për ata që janë më të rinj dhe e duan këtë sport, po ua prezantojmë përballjen historike e cila në vitin 2005 shkoi në tri vazhdime dhe gjatë të cilës ishin thyer 7 rekorde të basketbollit kosovar (asokohe).

Në vazhdim kënaquni  me fluturimin basketbollistik prapa në histori dhe ndeshjen më maratonike të zhvilluar ndonjëherë në elitën e basketbollit kosovar të pavarur nga stinori 1991/92

Dy ndër plejmejkerët më të mirë të gjitha kohëve: Samir Shaptahoviqi (SPR) kundër Artan Mehmetit (MAB)

12 SHKURT 2005

MABETEX – SIGAL PRISHTINA            114:124 (90:90; 100:100; 108:108)

Ndeshja e 12 shkurtit 2005, Mabetex – Sigal Prishtina është ndeshja e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në basketbollin e Kosovës dhe shumë rekorde që sot e kësaj dite mbeten në fuqi.

Ishte ky dueli më interesant, më dramatik dhe më maratonik në histori të basketbollit kosovar, rivalitet dhe derbi i prishtinas që nuk ekziston më, pas shuarjes së Mabetexit si klub (1 herë kampioni Kosovës, pikërisht në këtë edicion 2004-2005). Sfida Mabetex – Sigal Prishtina u zhvillua në palestrën e Sporteve në Prishtinë, në një super-atmosferë të krijuar nga tifozët, Plisat e Prishtinës dhe Princat e Mabetexit, si dhe publiku kryeqytetas i cili me mbi 4 mijë shikues kishte stërmbushur sallën. Atëbotë, rivalët nga kryeqyteti, përgatiten një shfaqje spektakolare e cila edhe sot e kësaj dite mbahet në mend për emocionet që i dhuroi në të gjitha dimensionet.

Në atë ndeshje të vetme dhe super-sfidë ishin thyer plotë 7 rekorde dhe nga atëherë, shumica e rekordeve kanë mbetur  në fuqi.

Rekordi i parë ishte se sfida u pati vendosur pas tri palë vazhdimeve, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në vendin tonë, në konkurrencën e meshkujve sepse te femrat rekordin me katër vazhdime e mban përballja KBF Prishtina – KBF Bashkimi e zhvilluar me 7 dhjetor 2020.

Rekord i dytë i shënuar (asokohe)  në ndeshjen Mabetexi – Sigal Prishtina ishte numri i pikëve të realizuara në një ndeshje, gjithsejtë 238 sosh (114:124). Kjo shifër është kaluar vetëm edhe njëherë në Kosovë, konkretisht gjatë stinorit 2018/19. Me 10 prill 2019 në ”Sezai Surroi” të Prizrenit, Bashkimi e kishte mposhtur Borean e Pejës me 118 pikë dallim (183:63) dhe aty ishte thyer rekordi me total prej 244 pikëve të shënuara. Që nga atëherë, aq shumë pikë në një ndeshje basketbolli kosovar nuk janë realizuar asnjëherë. Po ashtu, duhet theksuar se rekordin e përgjithshëm në basketbollin tonë e mbanë gjithashtu ndeshja e basketbollit femëror që shkoi në katër vazhdime, KBF Prishtina – KBF Bashkimi e zhvilluar me 7 dhjetor 2020 dhe e cila përfundoi me rezultat 141-136 apo me total rekord prej 277 pikëve të shënuara.

Për katër rekorde tjera të asaj kohe u përkujdes ish plejmekeri i Sigal Prishtinës dhe kombëtares shqiptare, Samir Shaptahoviqi.

Samir Shaptahoviqi me shumë rekorde të pathyera

Rekordin e tretë, atë të pikëve të shënuara nga një lojtar në një ndeshje (deri në vitin 2005) e kishte vendosur Samiri duke realizuar 58 pikë, prej tyre 42 pikë i kishte realizuar në kohën e rregullt ndërsa 16 në lojën shtesë. Ndërkohë, në vitin 2008 ky rekord i pikëve individuale i vendosur nga Samiri u thye nga Gazmend Asllani i Trepçës me 72 pikë (ndaj Kastriotit të Ferizajit) kurse rekordmeni në fuqi është Granit Rugova me plotë 110 pikë të cilat i shënoi me fanellën e Prishtinës në vitin 2009, në ndeshjen ndaj KB Mitrovicës. Gjithashtu duhet të theksohet ceket se rekordin e përgjithshëm në të dyja konkurrencat (meshkuj e femra) e mban basketbollistja prishtinase Marigona Rushiti e cila në vitin 2018 kishte shënuar 116 pikë në ndeshjen Prishtina – Vushtrria (126:31).

Rekordi i katërt dhe i pestë i vendosur në ndeshjen Mabatexi – Sigal Prishtina (12.02.2005) u vendos po ashtu nga Samir Shaptahoviqi dhe ka të bëjë me numrin e gjuajtjeve të lira të realizuara në total, si dhe përqindja e efikasitetit në më shumë se 20 tentime të bëra në një ndeshje. Në duelin kundër mabetexit, plejmejkeri prishtinas asokohe kishte shënuar shifra të paarritshme deri më sot duke qëlluar plot 31 gjuajtje të lira nga 34 tentime (rekordi i katërt). Me këtë, Samiri arriti efikasitet fantastik dhe rekord të pathyer edhe sot e kësaj dite në elitën e basketbollit kosovar prej 91% (rekordi i pestë).

Rekordi i gjashtë në këtë ndeshje dhe i katërti personal i Samirit në atë mbrëmje ishte numri i gabimeve personale të shkaktuara ndaj tij. Kundërshtarët e ndalën Samirin në mënyrë të palejuar plot 22 herë, rekord ky që edhe tani mbetet në fuqi.

E krejt në fund në këtë ndeshje maratonike të basketbollit kosovar, rekordi i shtatë dhe i fundit ishte totali i gabimeve personale të shkaktuara. Lojtarët e të dyja skuadrave së bashku kishin shkaktuar plotë 69 gabime personale, shifër kjo e cila deri më sot nuk është regjistruar asnjëherë edhe pse së fundmi, të enjten mbrëma në ndeshjen Trepça – Peja skuadrat shkaktuan 60 faula (Trepça 36, Peja 24).

Që nga atëherë, këto dhe statistikat tjera interesante të cilat ruhen në mënyrë të veçantë në arkivat e ASISTIT dhe të cilat nuk mund ti gjeni askund tjetër, do t’i shpalosim ekskluzivisht për ju adhurues të basketbollit në ASISTIONLINE.

 

Adhurues të basketbollit shqip, kudo që jeni në planetë, të dielën në mëngjes ASISTIONLINE sjell pjesën e fundit të fejtonit ekskluziv NDESHJET MË TE ÇMENDURA NË HISTORINË E BASKETBOLLIT TË KOSOVËS (PJESA 3), me detajet, pikanteri dhe statistikat ekskluzive që do të na kthejnë prapa në kohë kur basketbolli ishte “dashuri e çmenduri” dhe sporti më i shikuar në vendin tonë,  sikurse po bëhet përsëri.

Deri nesër, zemrat tuaja le t’i ngroh dashuria për basketboll!

 

/AsistiOnline.com/

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.