EDON MAXHUNI SHKËLQEN E DEN BOSCHI ARRIN FINALEN E ELITËS HOLANDEZE
Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti me prejardhje nga Kosova, Edon Maxhuni me skuadrën holandeze, Den Bosch e kanë arritur finalen e ligës kombëtare.
Den Boschi arriti ta mposhti në duelin e tretë me radhë Donar Groningenin 81-72, për të arritur kështu finalen e madhe të elitës holandeze.
Në këtë përballje, Edoni ishte pikëshënuesi më i mirë i ekipit me 17 pikë, 7 asiste e 2 kërcime, derisa ka shkëlqyer edhe në dy ndeshjet paraprake, sidomos në sfidën e parë të serisë, ku ishte poashtu pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes me 22 pikë, 5 asiste e 1 kërcim e në duelin e dytë kishte realizuar 5 pikë e 5 asiste.
Vlen të ceket se pas mbylljes së kësaj serie, trajneri i Den Boschit, Erik Braal ka dhënë komplimente të mëdha për Edonin para mediave dhe AsistiOnline.com po i citon fjalët e tij: ”Jam i lumtur qe e kam një lider si Edoni në ekip, që është lider në kuptimin e fjalës dhe është për çudi që ende nuk është në Euroligë, por kam bindjen e plotë se në një të ardhme të afërt do të luajë aty”.
Den Boschi kaloi në finale pas 3 fitoreve me radhë ndaj Donarit (3-0) e në finale do të takohet me Leidenin që poashtu e mposhti Zwollen 3-0 në seri.
Vlen të ceket se Den Boschi dhe Leideni janë kualifikuar edhe në ”Final Four” të ligës së përbashkët mes Holandës dhe Belgjikës, ku fituesi i ligës holandeze, luan në gjysmëfinale me vendin e dytë të ligës së Belgjikës, derisa vendi i dytë i Holandës luan në gjysmëfinale me vendin e parë në Belgjikë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.