GIORGOS BARTZOKAS – SHPALLET TRAJNERI I VITIT NË EUROLIGË
Prishtinë(AsistiOnline) – Çmimi ”Alexander Gomelsky” për trajnerin e vitit në Euroligë, sivjet shkon për teknikun e Olympiacos, Giorgos Bartzokas.
Trajneri i Olympiacos, Giorgos Bartzokas u shpall sot trajneri i vitit në Euroligë, ”Alexander Gomelsky”, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Euroligës për stinorin 2021-22 të mbajtur në sallën e konferencave për shtyp të Stark Arena të Beogradit, ku edhe do të mbahet ”Final Four” i sivjetm i Euroligës.
“Është me të vërtetë një moment emocionues për mua edhe sepse është një nder i madh. Ka trajnerë të mëdhenj në Euroligë. Trajnerët më të mirë janë këtu. Është një nder i madh. Dua të falënderoj klubin e Olympiacos, stafin tim stërvitor. Të gjithë lojtarët e mi që më ndihmuan për të fituar këtë çmim. Ndihem vërtet i nderuar. Faleminderit shumë. Kjo është e veçantë, është një forcë shtytëse më shumë për mua. Unë do të doja të falënderoja [shokët e mi- trajnerë]. Është një nder për mua”, tha Bartzokas, pas marrjes së çmimit.
Në vitin e tij të dytë me Olympiacosin, Bartzokas e drejtoi ekipin grek në vendin e dytë të sezonit të rregullt me një bilanc prej 19-9. Më pas udhëhoqi ekipin në ”Final Four”-in e parë që nga viti 2017 me një serie të ngushtë në çerekfinale prej 3-2 kundër AS Monaco, gjë që e bëri atë trajnerin e parë në historinë e Euroligës që fiton tre ndeshje të 5-ta të serive në playoff.
Trajneri, Bartzokas bëhet njeriu i katërt që fiton çmimin e trajnerit të vitit të paktën dy herë. Ai ishte votuar për këtë çmim edhe në sezonin 2012-13, apo në sezonin e tij të parë në stolin e Olympiacos, kur ndihmoi ata të mbrojnë titullin e tyre në Euroligë në Final Four në Londër.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.