Basketboll

MBYLLET STINORI NË BASKETBOLLIN E KOSOVËS (PËRMBLEDHJE)

Prishtinë(AsistiOnline) – Me ndeshjen e djeshme finale të Artmotion Superligës është mbyllur në tërësi, stinori 2021/22 në basketbollin e Kosovës.

Një edicion mjaftë interesant në të gjitha garat e në veçanti në elitën e meshkujve, ku pati ndeshje tepër interesante, sidomos me sfidat finale të ”play off”-it që dhuruan momente të paharrueshme për publikun.

Dje, Golden Eagle Ylli e mposhti Trepçën në duelin e katërt të serisë finale dhe me seri të përgjithshme prej 3-1 u shpall kampion i Kosovës, duke e mbrojtur kështu titullin e fituar vitin e kaluar. Derisa nga Superliga, sivjet ra ekipi i Dritës që kishte arritur në elitë, vetëm vitin e kaluar.

Ajo çfarë vlen të theksohet sivjet është fakti i mirë, se trofetë te meshkujt në kategorinë seniore elitare u shpërndanë në tri qytete, Kupa e Kosovës i takoi Trepçës, Ligën Unike e fitoi Peja e titulli i kampionit mbeti në Suharekë.

Në Ligën e parë, Vëllaznimi arriti të rikthehet në Superligë pas një edicioni të kaluar në një rang më të ulët të garave, e për në Ligën e dytë, sivjet ra Feronikeli.

Te Superliga e Femrave, Penza e mbrojti poashtu titullin e fituar në vitin e kaluar, duke u shpallur kampione për vitin e dytë me radhë, derisa nga elita femërore sivjet ra, Kastrioti i Ferizajit. Kupa e Kosovës te femrat sivjet i takoi Bashkimit të Prizrenit.

Derisa në Ligën Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë te meshkujt sivjet kampione doli Peja e te femrat, Prishtina që e organizoi ”Final Four”-in edhe e fitoi trofeun e çmuar.

Gara mjaftë interesante u zhvilluan edhe në Ligën e parë te femrat ku në Superligë u inkuadrua ekipi i United Basketball nga Gjilani, gjersa në Ligën e dytë tek meshkujt në Ligën e parë hyri Gjakova e Re.

Ndeshje rivalizuese pati edhe tek gjeneratat e reja, sikurse tek meshkujt ashtu edhe te femrat dhe për sivjet, ky edicion në basketbollin e Kosovës, para dy ditëve u mbyll edhe zyrtarisht.

Në përgjithësi ky edicion i basketbolli kosovar ishte tejet interesant, por edhe rivalizues, megjithatë jo edhe shumë kualitativ sa i përket brendësisë të lojës, por shpresojmë që pikërisht ky stinor të jetë reflektim i skuadrave, por edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës që në vitet në vijim të punohet, shumë e më shumë me kuadrot e reja (trajnerë/lojtarë/e) dhe cilësia të ngritet, sepse dorën në zemër, cilësia momentalisht nuk korrespodon me atë që do të duhej të ishte në fakt.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.