Prishtinë(AsistiOnline) – Seria finale e elitës së basketbollit kosovar mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, përpos basketbollit me bindje të plotë mund të thuhet se bashkoi edhe njerëz, ashtu sikurse është moto e sportit.
Në këtë seri finale u pa afrimitet i veçantë i tifozëve të të dyja skuadrave, ku në të gjitha ndeshjet tifozët vendas brohoritnin emrat e qyteteve mysafire (Mitrovicë, Suharekë).
Sigurisht që ndeshjet e tilla e kanë vlerën edhe më të madhe, kur gjithçka zhvillohet në suazat vëllazërore dhe pa asnjë ekces e krijojnë shembuj të mirë për të ardhmen.
I gjithë ky pozitivitet i shpërfaqëur në tribina nga tifozëritë e klubeve finaliste, duket se ju ka rënë në sy edhe institucioneve shtetërore të vendit, konkretisht Komunës së Suharekës e cila gjatë festës së Yllit me rastin e fitimit të titullit të kampionit, ka vendosur që tifo-grupin e Torcidës t’a shpërblejë me një mirënjohje të veçantë në shenjë falenderimi.
Komuna e Suharekës është përkujdesur që me një dhuratë unike, ta falenderojë edhe tifozin unik të Trepçës, Asdren Begun i cili u pa i emocionuar duke qajtur pas fitores së ekipit të zemrës në duelin e tretë final në Suharekë dhe që bëri bujë të madhe në rrjetet sociale.
Përpos Asdrenit për Trepçën, një përkrahëse të veçantë të klubit e ka edhe Ylli, Sarën e cila në duelin vendimtar për titull të enjtën, ishte prezente në festën e suharekasve dhe pas ndeshjes së bashku me Asdrenin e Trepçës e bënë edhe një fotografi së bashku, për të mbetur kujtim i veçantë dhe pasqyrim se sporti duhet t’i bashkojë njerëzit ashtu sikurse ndodhi mes Torcidës dhe Xhebrailave e jo të ketë përçarje siç kemi parë shpeshherë në tifo-skenën kosovare.
Sigurisht që shembujt e tillë, ku mbi sportin dhe të gjitha mbizotëron, kultura dhe respekti për njëri tjetrin, duhet të jenë shembuj edhe për tifozëritë e tjera, se para se të gjithash ne jemi shqiptarë dhe klubet e zemrës duhet ti përkrahim drejtë dhe pa krijuar probleme që e dëmtojnë sportin apo këdo qoftë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.