Basketboll

SUPER-EKSKLUZIVE: EKREM MEMNUN OPSION PËR TRAJNER TE PRISHTINA

Prishtinë(AsistiOnline) – Trajneri i madh turk, Ekrem Memnun mund të rikthehet te skuadra e Prishtinës.

AsistiOnline.com ka mësuar ekskluzivisht se prishtinasit veçse e kanë kontaktuar ish-trajnerin e tyre gjatë viteve 2003-2005, Ekrem Memnunin dhe bisedimet janë duke shkuar goxha mirë dhe se gjërat mund të finalizohen në aspektin pozitiv.

Se janë në bisedime me Memnunin, por edhe disa trajnerë tjerë tek Prishtina, sonte në episodin e fundit të stinorit në ASIST e ka pranuar edhe kreu i klubit, Burim Maraj.

”Po Ekrem Memnun është një opsion, por nuk është i vetmi sepse i kemi edhe disa kombinime të tjera që do i shikojmë mirë dhe pastaj do të vendosim”, tha sonte Maraj në ASIST.

Memnun është trajner me rejting të madh në basketbollin turk dhe evropian, duke drejtuar ekipe të mëdha sidomos në Turqi, madje ka të fituar edhe një titull të Euroligës me Galatasarayn tek femrat.

52 vjeçari, në stinorin që po lëmë pas e drejtoi ekipin e Galatasarayt te meshkujt, duke zhvilluar një sezon fenomenal me ta e në të kaluarën ka udhëhequr edhe me Efesin, Darussafakën dhe kombëtaren e Turqisë te femrat.

AsistiOnline.com do të vazhdojë të ju mbajë të informuar për rrjedhën e këtyre bisedimeve mes Prishtinës dhe Memnunit, që ende nuk dihet saktë se si mund të përfundojnë.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.