Basketboll

SUPER-EKSKLUZIVE: PEJA ARRIN MARRËVESHJE ME NJËRIN NGA TRAJNERËT MË PERSPEKTIVË NË TURQI

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër se ishin afër marrëveshjes me Marin Dokuzovskin, skuadra e Pejës megjithatë ka ndryshuar mendje dhe tash ka gjetur trajner të ri.

AsistiOnline.com ka arritur të mësojë ekskluzivisht se verdhezinjët tashmë e kanë kompletuar marrëveshjen me një prej trajnerëve më perspektivë nga Turqia.

Bëhet fjalë për Can SEVIM, trajnerin që në edicionin e sivjetm e drejtoi ekipin elitar turk, Socar Petkimspor dhe të cilët me një buxhet solid i mbajti në Superligë, duke mposhtur ekipe të fuqishme si Fenerbahçe që garon në Euroligë, Bursasporin, Beshiktashin, Gaziantepin, Turk Telekomin etj.

Sevim tashmë ka bërë karrierë të konsiderueshme si trajner edhe pse vetëm 39 vjeç, ai ka punuar fillimisht si ndihmës-trajner në Ankara Kolejliler, Antalya Buyuksehir, pastaj në Trabzonspor, gjersa si trajner i parë që nga tash ka udhëhequr dy ekipe elitare në Turqi, mori besimin e Afyonit ku zhvilloi një edicion fantastik me ta vitin e kaluar dhe jo rastësisht u zgjodh trajneri i vitit në Turqi në një medium prestigjioz atje me votat e publikut.

Edicionin e kaluar me Afyonin, Sevim ishte trajneri i vetëm që e kishte mposhtur kampionin e Evropës, Anadolu Efesin e Ergin Atamanit në Superligën e Turqisë me rezultat të thellë 103-85. Efesi në atë edicion ishte shpallur kampion i Turqisë me vetëm këtë humbje, përfshirë edhe ”play off”-in.

Momentalisht, Sevim cilësohet si një prej trajnerëve me të ardhmen më të ndritur në basketbollin turk, për shkak të punës së madhe dhe analizës së thellë të lojës që bën.

/AsistiOnline.com/

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.