E BUJSHME: FOTIS TAKIANOS SHPALLET TRAJNERI I VITIT NË GREQI
Prishtinë(AsistiOnline) – Njeriu që drejtoi klubin e Rahovecit vitin e kaluar, Fotis Takianos ka marrë një thirrje të madhe në karrierën e tij prej trajneri.
Besoni apo jo, Takianos është përzgjedhur trajneri i vitit në elitën e basketbollit të Greqisë.
Fotis Takianos, i cili e dërgoi Larisën deri në gjysmëfinale të basketbollit grek, duke zënë në fund vendin e katërt në renditjen përfundimtare të elitës greke, është shpallur trajneri më i mirë i kampionatit të 30-të profesional grek.
Trajneri 53-vjeçar mori drejtimin e Larisës me datë 16 nëntor të vitit të kaluar, pas një epoke te Rahoveci dhe para ardhjes së Takianos ata kishin bilanc negativ prej 1 fitoreje e 5 humbjeve në start të edicionit.
Derisa nën-drejtimin e tij, ekipi thesalian e përfundoi sezonin e rregullt në vendin e gjashtë në renditje me bilanc prej 12 fitoreve e 12 humbjeve dhe u inkuadrua në ”play off”.
Larisa, nën-udhëzimet e Takianos, arriti që në fazën e parë të ”Play Off”-it të eliminojë vendin e tretë në renditjen e sezonit të rregullt, Kolossos, me epilog 2-0 në seri. Derisa në gjysmëfinale, mposhti dy herë gjigantin grek, Panathinaikos, të cilët më pas siguruan kualifikimin ndaj skuadrës së Takianos edhe pse me vështirësi të mëdha (3-2).
“Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që më nderuan me votën e tyre dhe më shpallën trajnerin e vitit, duke shpërblyer efektivisht rezultatet dhe shkallën e vështirësisë së rrugës sonë drejt vendit të 4-të”, tha Fotis Takianos.
Në serinë e ndeshjeve për vendin e tretë në renditjen përfundimtare, Larisa edhe pse kryesonte 2-0 me fitore, u mund nga Promitheas 3-2, por kjo nuk e zbeh aspak punën e madhe dhe suksesin e tyre nën-drejtimin e Takianos i cili tash duket se nuk do të ketë problem për të gjetur punë, ngase e dëshmoi veten.
Takianos kryesoi të gjitha votimet për trajnerin e vitit në Greqi.
Në votimet e kapitenëve dhe trajnerëve të 13 skuadrave të elitës së basketbollit grek, trajneri 53-vjeçar grumbulloi 11 vota apo 42.3% të preferencave, i ndjekur nga Ilias Kanzouris i Kolossos, që mori 6 vota apo një përqindje prej 23.07%.
Fotis Takianos mori 39.2% në votimin e sportdashësve nga gjithsej 2809 vota. Giorgos Bartzokas i Olympiacosit ishte i dyti me 27.68%.
Në votimin e gazetarëve, trajneri i Larisës ka mbledhur 27 vota apo 55.1% të preferencave. I dyti në këtë votim ishte trajneri i mirënjohur, Georgios Bartzokas me 13 vota apo 26.53%.
“Dallimi krijon ndjenja gëzimi dhe kënaqësie, por më shumë se kaq është një angazhim dhe një trashëgimi për një përpjekje më të madhe drejt synimeve të radhës”, nënvizoi trajneri nga Selaniku.
“Dua ta përkushtohem me shumë dashuri dhe ta ndaj çmimin me familjen time, bashkëshorten time Anastasia dhe djemtë e mi Joannis dhe Panagiotis që ishin pranë meje dhe më mbështetën duke marrë pjesë në rrugëtimin tim të vështirë dhe kërkues”, theksoi Takianos.
Takianos te Rahoveci kishte qëndruar për një stinor e gjysmë, por pa pasur ndonjë sukses të theksuar, përveç inkuadrimit në fazën e ”play off”-it.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.