Basketboll

RAHOVECI AVANCON NË NEGOCIATA ME MUHAMMED-MUJA THAÇIN

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadrën e Rahovecit sivjet mund ta shohim tek e drejton një trajner më ndryshe se zakonisht, shumë karizmatik dhe kërkues.

Sipas informacioneve që posedon AsistiOnline.com, ‘vreshtarët’ janë afër marrëveshjes me Muhammed-Muja Thaçin, njeriun që dikur shkëlqente në parketet kosovare, por që tashmë e ka dëshmuar veten edhe si trajner.

Pas një karriere të bujshme si lojtar, sidomos me KB Dukagjinin (Pejë), por duke luajtur edhe për Prishtinën, Mabetexin, Trepçën, Dritën, në Maqedoni për MZT Skopjen, Vardarin dhe Lirinë (Maqedoni), Alba Fehervarin (Hungari), Stjarnanin në Islandë dhe Ormansporin në Turqi dhe me rastin e pensionimit, shqiptari nga Shkupi e kishte filluar karrierën si trajner, ku pa asnjë mëdyshje shihet si prej shpresave më të mëdha shqiptare në zejen e trajnerit.

Në edicionin 2020/21, Muja u shpall trajneri i vitit në elitën e basketbollit të Gjeorgjisë ku me një skuadër me buxhet shumëfish më të vogël se ekipet tjera, për pak sa nuk kishte shkaktuar senzacionin më të madh ndonjëherë në Gjeorgji, për ta fituar titullin e kampionit.

Me skuadrën e Dinamo Tbilisit, Muja nga vendi i shtatë në stinorin e rregullt, kishte arritur deri në gjysmëfinale të ”play off”-it e më pas e kishin zënë vendin e tretë apo medaljen e bronztë. Realisht në Gjeorgji ky ishte një senzacion i paparë, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një skuadër nga pozita e 7-të arrijë në gjysmëfinale e këtë e kishte bërë Dinamo Tbilisi nën-drejtimin e Mujo Thaçit.

Mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim se cili do jetë epilogu i bisedave mes Mujës dhe Rahovecit, gjë për të cilën AsistiOnline.com si zakonisht do të ju mbajë të informuar.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.