Basketboll

SOT FILLON KAMPI VEROR I BASKETBOLLIT NË PEJË, ME NË KRYE KROATIN RUDOLF JUGO

Prishtinë(AsistiOnline) – Java në të cilën kemi hyrë sot, pritet të jetë shumë aktive me basketboll në qytetin e Pejës.

Kjo për faktin se atje nga sot e deri të shtunën, do të organizohet një kamp i basketbollit shumë cilësor me në krye trajnerin kroat, Rudolf Jugo dhe pikërisht me të cilin, KB Peja e ka titullin e fundit të fituar si kampione e Kosovës gjatë vitit 2013.

Në fakt, ky kamp do të organizohet nga Shkolla e basketbollit ”Pressing”, që drejtohet nga dyshja e trajnerëve vendorë, Bujar Loci dhe Vigan Radoni e mysafir special do të jetë, trajneri Jugo.

Jugo në angazhimin e fundit ka qenë trajner i ekipit sllovak, Iskra Svit dhe i drejtoi për dy sezone (2019/21), derisa ka pasur nën-menagjim edhe shumë klube të njohura brenda dhe jashtë Kroacisë.

Nga trajnerët vendorë, ligjërojnë dhe praktikojnë, Bujar Loci ish-basketbollist dhe trajner i disa skuadrave kosovare, si dhe ish-basketbollisti i Pejës dhe Reprezentacionit të Kosovës për shumë vite, që tash e ka filluar punën e trajnerit me gjeneratat e reja të basketbollit, Vigan Radoni.

Ky kamp është i paraparë të mbahet për fëmijët e moshave nga 8 deri në 16 vjeç, për meshkuj dhe vajza.

Nga organizatorët është premtuar se do të ketë stërvitje me metodat më të avancuara dhe spikatura, veçanërisht nga trajneri Jugo, derisa për shkak të interesimit të madh për kampin, vendet e pjesëmarrësve janë të limituara

Vlen të ceket se është hera e parë që ky kamp, mbahet në qytetin e Pejës dhe qëllimi i tij është angazhimi i të rinjëve në basketboll dhe dalja në pah e talentëve të rinj në basketboll.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.