Basketboll

EKSKLUZIVE: PESË KLUBE TË SUPERLIGËS INSISTOJNË ZYRTARISHT NGA FBK RREGULLËN 4+1 PËR TË HUAJ (DOKUMENT)

KËRKESA QET NË PAH EDHE SHUMË PAKËNAQËSI TJERA

Prishtinë(AsistiOnline) – Pavarësisht nga refuzimi paraprak i krerëve të FBK-së që rregulla për angazhimin e të huajve në sezonin e ri të jetë 4+1(katër në lojë dhe një rezervist) pesë klubet e Superligës së Kosovës janë të vendosura në kërkesa të tyre.

Sigal Prishtina, Bashkimi, Peja, Ponte Prizreni dhe Rahoveci janë pesë skuadrat elitare të basketbollit kosovar që kanë nënshkruar kërkesën zyrtare drejtuar kryetarit të FBK-së dhe anëtarëve të Bordit të FBK-së me këtë përmbajtje:

  1. Klubet e Superligës të kenë të drejtën e angazhimit të 5 lojtarëve të huaj sipas formulës 4 në parket dhe 1 në bankën rezervë
  2. Lojtarët shqiptarë të gëzojnë statusin e lojtarit vendor
  3. Ekipet tona të luajnë në BIBL League
  4. Të ketë diskutim më të thellë në vendimmarrje produktive për të drejtat televizive dhe marketingun
  5. Të ketë analizë dhe vendimmarrje më racionale në dënimet, lartësia e të cilave është enorme dhe në diskrepancë totale me buxhetin e klubeve

Në dokumentin të cilin ekskluzivisht po e publikon AsistiOnline.com dhe i cili tashmë i ka shkuar zyrtarisht me e-mail FBK-së , pesë klubet e Superligës e shpjegojnë se kësaj here kërkesën e kanë dor5ëzuar me shkrim , të nënshkruar dhe vulosur me arsyetim se bisedimet paraprake ku klubet në fjalë kanë argumentuar që “përkundër qëllimit të mirë rregullit paraprak (vërejtja jonë: 3+2), efektet e munguara dëshmojnë se nuk ka argumente për të vazhduar më me këtë rregull dhe se duhet të aplikohet rregulla e re me të cilën do të rritet kualiteti i lojtarëve të huaj, do të rritet kualiteti i lojtarëve vendorë përmes konkurrencës organike dhe assesi përmes minutave të garantuara administrativisht sepse qe disa herë është vërtetuar si eksperiment i dështuar, do të rritet shikueshmëria dhe mbi të gjitha do të ruhet stabiliteti financiar i klubeve, i cili duhet të jetë kusht jetik edhe për vet FBK-në” shkruan në kërkesën e klubeve.

Më tutje, klubet e argumentojnë kërkesën e tyre dhe janë të vendosura në kërkesën e tyre duke e përmbyllur letrën me “Prandaj, të nderuar drejtues të FBK-së, kërkesat tona janë unanime dhe të panegociueshme, të menduara dhe të propozuara me arsye të shëndosh dhe bindje të plotë” thuhet në kërkesën e 5 klubeve të Superligës të cilat përveç pakënaqësisë me rregullin e vjetër të angazhimit të lojtarëve të huaj kanë qitur në pah edhe vërejtje dhe pakënaqësi tjera serioze dhe të akumuluara.

Në lidhje me këtë kërkesë të klubeve AsistiOnline.com ka kërkuar koment edhe nga krerët e FBK-së, sekretarja e FBK-së Elvira Dushku dhe kryetari Arben Fetahu.

Sekretarja Dushku në përgjigje ka konfirmuar pranimin e kërkesës së klubeve dhe në vazhdim e japim përgjigjen e saj pa ndërhyrje.

“E konfirmoj pranimin e kërkesës nga klubet në fjalë. Është e drejta e tyre të bëjnë kërkesë, dhe e njëjta do të shqyrtohet në mbledhjen e Bordit të FBK-së që do të mbahet në javën e ardhshme. Sidoqofte qëndrimet e FBK-se janë të palëkundura në aspektin e zhvillimit të basketbollit në vendin tonë dhe implementimin e Planit Strategjik 2021-2025. Megjithatë është Bordi i FBK-së ai që do ta thotë fjalën e fundit dhe kjo do të ndodh në mbledhje e javës së ardhshme” thuhet në përgjigjen e Dushkut.

Ndërkohë përgjigjen me shkrim e ka dhënë edhe kryetari i FBK-së Arben Fetahu.

FBK ka pranuar dje, me 20 korrik, kërkesën nga pesë ekipe të Superligës për shtimin e numrit të lojtarëve të huaj nga 3+1 në 4+1. Bordi i Federatës së Basketbollit do ta shqyrtojë këtë kërkesë në vazhdën e përgatitjeve për stinorin e ardhshëm dhe do të marrë vendimin më të volitshëm dhe që është me në interes për zhvillimin e basketbollit të Kosovës, duke kërkuar gjithnjë që të gjendet baraspeshë mes interesit të klubeve për të zbritur kostot për angazhimin e lojtarëve vendorë dhe interesit të basketbollistëve vendorë të rinj për të pasur më shumë kohë të garantuar në terren. 

Megjithatë, në frymën e transparencës, para mbledhjes së Bordit, përfaqesuesit e këtyre pesë klubeve do të ftohen edhe një here në takim me mua javën që vjen për të qartësuar dhe elaboruar qëndrimet e shprehura në këtë kërkesë, duke qenë se disa prej tyre nuk janë në frymën e pajtimit që kemi pasur pas diskutimeve të cilat i kemi zhvilluar bashkë javën e kaluar, e madje janë në kundërshtim me atë që vet kanë kërkuar me shkrim paraprakisht” shkruan në përgjigjen e tij kryetari i FBK-së, Fetahu.

Nga kjo që u raportua shihet se dy palët në këtë kontest qëndrojnë në “pole të kundërta” dhe duket se janë larg përafrimit të qëndrimeve.

Nga njëra anë, 5 klubet e  Superligës (sikurse shkruan në dokument) për Kërkesën e tyre theksojnë se “ është unanime dhe e panegociueshme” kurse nga ana tjetër sekretarja Dushku theksoi se qëndrimet e FBK-se janë të palëkundura por se Bordi i FBK-së do ta thotë fjalën e fundit dhe këtë e tha edhe kryetari Fetahu duke nënvizuar se Bordi i FBK-së do ta shqyrtojë kërkesën dhe do ta marr vendimin më të volitshëm në interes të basketbollit kosovar por në fund shtoi se  para mbledhjes së Bordit do t’i ftoi përfaqesuesit e klubeve edhe një here në takim që të qartësojnë dhe elaborojnë qëndrimet e shprehura në kërkesë pasi, sipas tij, disa prej tyre nuk janë në pajtim me ato që janë diskutuar në takimin e javës së kaluar.

Si do që të jetë, zhvillimet më të reja lidhur me këtë temë por edhe lajmet tjera ekskluzivisht keni me pas mundësi me i mësua në AsistiOnline.com, mediumin numër një për basketboll në shqiptari.

Lexo edhe:

EKSKLUZIVE: KËTO PESË KLUBE KËRKESË FBK-SË PËR NDRYSHIMIN E RREGULLIT PËR TË HUAJT

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.