Basketboll

JON ISMAJLI TRANSFEROHET NË NJËRËN PREJ GJIMNAZEVE MË TË FORTA NË SHBA

Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti i ri prishtinas, Jon Ismali do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar karrierën si lojtar.

I biri i ish-lojtarit të Prishtinës, Afrim Ismajlit, Joni ka nënshkruajtur me njërën prej gjimnazeve më cilësore (TOP-10) aktualisht në SHBA, konkretisht në shtetin e New Jersey, transmeton AsistiOnline.com

Gjimnazi në të cilin është transferuar Joni, quhet Gill St.Bernard’s dhe në radhët e veta momentalisht ka dy lojtarë shumë të talentuar që janë kandidatë seriozë për të arritur në NBA, e kjo do të thotë se Joni do të ketë konkurencë të madhe në ekip, por gjithmonë është vërtetuar se rivaliteti të ‘kalit’ dhe të jep mësim, andaj padyshim kemi besim se Joni do ta kalojë këtë sfidë pozitivisht dhe ti mbërrijë majat e basketbollit në ardhmen.

Në fakt, Joni ka kaluar te shkolla ”Gill St.Bernard’s” me insistimin e trajnerit shqiptar i cili prej vitesh punon si trajner kryesor, bëhet fjalë për Mërgim Sinën, 55 vjeçarin e lindur në Itali.

Mërgimi i cili është edhe babai i ish-reprezentuesit të Kosovës, Jaren Sinës, siç ka mësuar AsistiOnline.com e ka përcjellur Jonin nëpër ndeshje prej kohësh dhe ka qenë ‘urë’ ndërlidhëse për këtë transferim i cili mund të jetë çelës i suksesit për basketbollistin e ri nga Kosova.

Të kujtojmë se Joni është 16 vjeç dhe hapat e parë në basketboll i ka marrë te skuadra e M-Junior që drejtohet nga ish-basketbollisti i spikatur Bekim Maxhuni, për të debutuar në stinorin që lamë pas me ekipin e parë të Sigal Prishtinës, gjersa edicioni i ri pritet ta gjejë jashtë Evropës dhe në vendin më të zhvilluar për basketboll, USA.

Djaloshi i ri prishtinas gjatë vitit të kaluar luajti edhe me Kosovën U16 në Evropianin sfidues për Divizionin C i organizuar në Prishtinë, të cilin djelmoshat e rinjë arritën ta fitojnë e Joni ishte prej lojtarëve kryesorë, ai edhe sivjet është pjesë e Kosovës U18 për Evropianin – Divizioni B, që zhvillohet në Rumani gjatë ditëve në vijim.

Realisht, me vetëm 16 vite moshë dhe 1.94 centimetra gjatësi në pozitën e organizatorit të lojës, nga njohësit e basketbollit në Kosovë, Joni prej vitesh është parë prej lojtarëve kryesorë me të ardhme të ndritur në basketboll e duket se kjo gjë i ka rënë në sy edhe trajnerit të suksesshëm me prejardhje shqiptare në Amerikën e largët, Mërgim Sinës që ishte insistuesi më i madh për realizimin e transferit të Jonit.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.