Basketboll

RAHOVECI – SKUADRA E VETME PA ASNJË RISI TË KONFIRMUAR

Prishtinë(AsistiOnline) – Afati kalimtar veror për skuadrat elitare të basketbollit kosovar sivjet ka qenë i nxehtë.

Duke nisur nga Trepça e deri te Vëllaznimi, ka pasur risi të shumta me të cilat këto ekipe kanë punuar dhe për dallim nga vitet e kaluara, sivjet janë bërë gati shumë më herët.

Prej të gjitha skuadrave, i vetmi klub pa asnjë risi, së paku zyrtarisht, është ai i Rahovecit që s’ka prezantuar asgjë të re dhe tifozët e skuadrës ‘vreshtare’ vazhdojnë të jenë në ankth se çfarë do të ndodhë me klubin e tyre të zemrës.

AsistiOnline.com ka tentuar të kontaktojë me drejtuesit e klubit të Rahovecit, por që të njejtit kanë qenë të paçasshëm për t’u përgjigjur.

Edhe pse ishin afër marrëveshjes me Muhammed Thaçin për kryetrajner, te Rahoveci ende nuk e kanë konfirmuar as këtë marrëveshje dhe përkundër se stinori i ri sivjet do të nisë shumë më herët, gjërat në kampin ‘vreshtar’ duken shumë problematike.

Të kujtojmë se Rahoveci vitin e kaluar përfundoi në ”play out”, ku pësoi humbje nga Prishtina e Re në duelin e parë, por më pas u rikthye në ndeshjen e dytë për të shpëtuar dhe mbetur në Superligë.

Duhet cekur se sezoni i kaluar ishte mjaftë i vështirë për Rahovecin, ndoshta më i vështiri në histori dhe për sivjet tifozët e tyre kanë pritur një reagim më të mirë në përgatitjet para-sezonale për sezonin e ri, por kjo deri tani nuk ka ndodhur.

Mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim se cilat do jenë zhvillimet te klubi i Rahovecit, që jo fortë vite larg, luante edhe në finale të kampionatit kosovar me Prishtinën dhe palestra ishte e mbushur përplot me tifozë si askund tjetër në Kosovë e dashuria për basketboll në këtë qytet simpatik, kulmonte, por tash gjërat duken larg këtij realiteti të dikurshëm.

Përkundë gjithë këtyre problemeve, një gjë është e sigurtë – basketbolldashësit në Rahovec vazhdojnë ta kenë pasionin e njëjtë, por natyrisht, nëse do ta kenë ekipin të konsoliduar para tyre, me lehtësi mund ta shohim sërish palestrën “Mizahir Isma” të stërmbushur.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.