Basketboll

6 TRAJNERË SHQIPTARË E PËRFUNDOJNË ME SUKSES, SEMINARIN KU LIGJËRUAN TRAJNERËT E EUROLIGËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Një verë e suksesshme mund të llogaritet kjo për disa trajnerë shqiptarë që sivjet patën fatin të pajisen me diploma në seminar ku ligjëruan trajnerët e Euroligës.

Bëhet fjalë për akademinë prestigjioze të themeluar nga të gjithë trajnerët e Euroligës me emrin ”EHCB” e cila shërben si shkollë e lartë për trajnerë ku seminaret, ligjërimet e praktikat, zgjasin 10 muaj për të marrë diplomën e cila përfundon me kongresin ku ligjërojnë trajnerët të Euroligës.

Njëri prej ish-basketbollistëve më të mirë shqiptarë në histori dhe tash trajner me shumë perspektivë, Muhammed-Muja Thaçi ishte i pari nga trajnerët shqiptarë që sivjet u pajis me këtë diplomë. Madje, Muja të gjitha trajnimet, ligjëratat dhe gjërat e tjera i përcolli nga afër dhe ishte i pranishëm fizikisht në këtë seminar, së bashku edhe me trajnerin tjetër të ri në moshë nga Shkupi, Erkam Ismaili.

E me sukses këtë seminar e ndoqën online dhe u pajisën me diploma edhe trajnerët kosovarë: Andin Rashica, Dritëro Sefaja e Driton Puka.

Nga basketbolli i Shqipërisë, AsistiOnline.com ka informacione për Afrim Bilallin, ndërsa për trajnerë të tjerë nuk kemi ndonjë informatë se janë pajisur me diplomë të tillë.

Natyrisht që ky është një lajm pozitiv për basketbollin e Kosovës, por edhe shembull se si duhet investuar në shkollimin e trajnerëve.

/AsistiOnline.com/

 

 

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.