Basketboll

EKSKLUZIVE: BEQIRAGIQ FLET NGA GRUMBULLIMI ME BOSNJEN PARA EUROBASKETIT, PASHMANGSHËM PËRMEND YLLIN

Prishtinë(AsistiOnline) – Trajneri i Golden Eagle Yllit dhe Kombëtares së Bosnje & Hercegovinës, Adis Beqiragiq premton më të mirën fillimisht me shtetin e tij e më pas edhe me ekipin kosovar të Yllit në sezonin e ri.

Në një intervistë ekskluzive për AsistiOnline.com, foli direkt nga kampi në Bosnje, atje ku Beqiragiq po qëndron me lojtarët në përgatitje për dy organizime madhore, sikurse kualifikimet e Botërorit pas dy ditëve e më pas nga shtatori edhe Eurobasket 2022.

52 vjeçari nga Sarajeva fillimisht foli për Kombëtaren boshnjake me të cilët po përgatitet veçanërisht para Eurobasketit i cili sivjet fillon në shtator.
______________________

”Përshëndetje për të gjithë në Kosovë, përgatitjet me Kombëtaren e Bosnjës po shkojnë mire, kemi probleme për shkak të numrit të vogël të ndeshjeve përgatitore, kemi pasur vetëm dy ndeshje në Estoni ndaj Belgjikës dhe Estonisë dhe kjo më bën pak nervoz e të pakënaqur. Përndryshe gjithçka tjetër po shkon shumë mirë”.

Beqiragiq thotë se pas dy ditëve, fillojnë me dritaren e dytë të kualifikimeve për Botëror, ku i presin dy kundërshtarë mjaftë të fortë.

”Ne do të luajmë ndeshjet kualifikuese për Botëror Malit të Zi në udhëtim e më pas ndaj Francës në shtëpi dhe të dyja janë ekipe shumë shumë të mira, por shpresojmë se do të fitojmë. Ne do të tentojmë ti fitojmë këto dy ndeshje”, shprehet ai.

Sfida më e madhe e gjerëtanishme e Beqiragiqit nën-drejtimin e Bosnjes, padyshim që është ajo e Eurobasketit i cili fillon në pak më shumë se një javë.

”Për Eurobasket mund të them se jemi në një grup shumë, shumë, shumë të vështirë, me Slloveninë, me Francën, me Lituaninë, Gjermaninë dhe Hungarinë. Ky është grupi më i vështirë në Eurobasket, por ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar edhe një raund dhe nëse ndodh kjo që të kalojmë në raundin tjetër, atëherë kam besim se mund të arrijmë edhe në top-8 skuadrat pa problem. Por ne jemi gati…”, thotë njeriu që kishte shkëlqyer me këtë Kombëtare sa ishte lojtar aktiv.

Fitoi pothuajse të gjithë trofetë me skuadrën e Yllit, duke shkruajtur historinë me therandasit e natyrisht që kjo është temë e pashmangshme për të, ku thotë se e falenderon kryesinë e klubit që e liroi për shtator të drejtojë Bosnjen, porse posa të vijë do të punojnë maksimalisht ti mbrojnë sukseset e dy viteve të fundit.

”Sa i përket Yllit, natyrisht kam kontrate me klubin dhe dua të shfrytëzoj rastin të them faleminderit për klubin që më dha lejen të jem pjesë e Eurobasketit dhe natyrisht do të kthehem në Suharekë për të vazhduar me synimet e njejta si vitin e kaluar. Tash gjërat janë më ndryshe, po shohim se të gjithë rivalët janë përforcuar dhe po shpenzojnë tepër më shumë sesa ne që po shpenzojmë dhe të gjithë do të tentojnë të bëjnë ç’mos të jenë kampion. Ne nuk e kemi përfunduar me transferime, do të sjellim edhe dy lojtarë të huaj, dy lojtarë shumë të mirë që ju sigurojnë se do të jemi si ekip shumë të mirë. Sigurisht si vitet e kaluara edhe sivjet do të luajmë për çdo finale të secilës garë, por para se të flasim për kampionat, fillimisht do të luajmë në garat evropiane për herë të pare e kjo do të jetë një sfidë për klubin pasi është hera e parë që do të përfshihet klubi në një organizim të tillë e ne do të provojmë të luajmë basketboll të mirë”, përfundoi intervistën trajneri Beqiragiq që në Kosovë ka fituar simpatinë e të gjithë njerëzve basketbolldashës.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.