SOT FILLON KAMPIONATI EVROPIAN ”EUROBASKET 2022”
Prishtinë(AsistiOnline) – Pas më shumë se 5 vjet pritje, sot rikthehet në aksion kompeticioni më prestigjioz për shtete në Evropë, Eurobasket.
24 shtete do të luftojnë për 18 ditë rresht për kurorën e më të mirit, gjersa ndeshjet fillojnë sot me 1 shtator me fazën grupore.
24 ekipe janë të ndara në katër grupe me nga 6 ekipe secili prej tyre. Katër ekipet e para që përfundojnë në mbyllje të grupit, do të kualifikohen në top-16 ekipet më të mira, ku pastaj nis faza çerekfinale, gjysmëfinale dhe në fund finalja.
Dueli hapës i kampionatit zhvillohet sot mes Spanjës dhe Bullgarisë në Tbilisi të Gjeorgjisë me fillim nga ora 13:30.
Për dallim nga Kampionatet e tjera Evropiane, ky i sivjetmi zhvillohet në katër shtete, përfshirë Republikën Çeke, Gjeorgjinë, Italinë dhe Gjermaninë.
Për fat të keq, ky Evropian nuk do të transmetohet nga asnjë televizion kosovar.
Kosova kishte garuar në fazën e parë parakualifikuese të këtij turneu, ku prej shtatorit të vitit 2018 deri në shkurt 2019 kishte përfunduar Grupin B pa asnjë fitore, duke qëndruar e fundit në grup ndaj Maqedonisë Veriore dhe Rumanisë.
Kosova në atë kohë drejtohej nga selektori kroato-boshnjak, Damir Mulaomerovic i cili megjithatë do të jetë pjesëmarrës në këtë Evropian në postin e selektorit te Kroacia.
Në këtë Evropian marrin pjesë edhe dy shqiptarë, Edon Maxhuni me Finlandën dhe Ergjan Osmani me Turqinë, gjersa në postin e selektorit te Bosnje & Hercegovina merr pjesë edhe trajneri i kampionit të Kosovës Golden Eagle Yllit, Adis Beqiragiq.
Ndeshjet e ditës së parë:
Spanjë – Bullgari, 13:30.
Bosnje & Hercegovinë – Hungari, 14:30.
Turqi – Mal i Zi, 16:15.
Slloveni – Lituani, 17:15.
Belgjikë – Gjeorgji, 19:00.
Francë – Gjermani, 20:30.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.