KAMPIONI E NIS ME SHUMË NDRYSHIME, GATI GJYSMA E ROSTERIT KA NDRYSHUAR
Prishtinë(AsistiOnline) – Kanë mbetur edhe afro dy ditë nga nisja e stinorit të ri në elitën e basketbollit kosovar, me ç’rast na pret një sezon i gjatë.
Me shumë ndryshime nëpër skuadra është karakterizuar afati kalimtar veror dhe shumë transfere, por edhe largime janë realizuar gjatë këtyre muajve të pushimit.
Kampioni aktual i Kosovës, Golden Eagle Ylli është njëri prej klubeve që ka ndërhyrë goxha shumë në roster dhe ka freskuar skuadrën me emra të rinj, shkruan AsistiOnline.com
Pas largimit të bujshëm të dyshes vendore, Erjon Kastrati e Mikaile Tmusiq që nënshkruan me Trepçën, Ylli me patjetër u desht të ndërhyj në merkato dhe e bëri.
Therandasit në fillim prezantuan vazhdimin e bashkëpunimin me arkitektin e gjitha sukseseve historike të Yllit në vitet e fundit, trajnerin Adis Beqiragiq dhe ndihmësit e tij, Petrit Zeqiri e Endrit Elshani. Kontratat i vazhduan edhe me lojtarët: Gëzim Morina, Ardit Pepaj dhe Drilon Shala dhe dy të huajt nga viti i kaluar, Henrik Shirko e Chris Harris.
Gjersa, pas këtyre rinovimeve te Ylli janë fokusuar në transferet e reja. Natyrisht që nga vendorët ardhja më e bujshme llogaritet, rikthimi i Valon Bunjakut, pas një stinori te Bashkimi ku kishte luajtur me mesatare prej 14.7 pikëve, 5.7 asisteve e 4.5 kërcimeve..
Më pas edhe transferimi i Malcolm Armsteadit që ka pasaportë kosovare. 32 vjeçari i lindur në Alamaba në të kaluarën ka luajtur edhe te Prishtina dhe Peja, gjersa ka luajtur edhe për Reprezentacionin e Kosovës si basketbollist i natyralizuar. Përvoja e fundit e Armstead ka qenë ajo në ligën e parë të Greqisë me ekipin e Enosi Kavalas tek të cilët luajti me 12.7 pikë, 6.1 asiste e 4.7 kërcime. Në të kaluarën, Armstead ka luajtur edhe për KRKA-në, Avtodorin, AEK-un, Istanbulin, Buyukcekmecen, Gostivarin, Fribourg-un etj.
Ardhje të reja janë edhe Ismet Sejfiq nga Bosnje & Hercegovina, lojtari në fjalë është i gjatë 208 centimetra, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e ekipit malazez “Podgorica” tek të cilë luajti me mesatare prej 12 pikëve, 7.2 kërcimeve e 1.5 asiste për ndeshje. Gjatë karrierës së tij, 28 vjeçari ka pasur përvojë të konsiderueshme si lojtar ku është paraqitur për skuadra si, Izmiri (Turqi), Dzukija (Lituani), Mostar, Bosna (Bosnje Hercegovinë), Panthers, Jászberényi KSE (Hungari), Sencur (Slloveni), Sutjeska (Mal i Zi).
Si dhe Bashir Ahmed nga Gana, i cili në të kaluarën ka luajtur te Sigal Prishtina duke treguar lojëra fantastike. Bashir është i gjatë 201 centimetra dhe luan në pozitat 3-4, gjersa në stinorin që lamë pas ka luajtur në elitën rumune me ”Targu Jiu” me mesatare prej 10.8 pikëve e 3.8 kërcimeve për ndeshje. Aloja në fjalë përpos Kosovës dhe Rumanisë në të kaluarën ka luajtur edhe në Argjentinë, Bosnje, Kroaci, Francë, Hungari dhe SHBA.
Ylli sivjet si basketbollist vendor e ka regjistruar edhe të riun nga Vushtrria, Albion Imeri, një lojtar mjaft perspektiv i cili gjatë verës ishte paraqitur me Kosovën U20 në gara evropiane.
Vlen të ceket se nga Ylli janë larguar edhe lojtarët e huaj si: Dajuan Graf dhe Milos Lopicic. Edhe pse për Graf ishte përfolur se mund të rikthehet, një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur.
Therandasit sivjet do të luajnë në pesë fronte, Ligën e Kampionëve, Superligën e Kosovës, Ligën Unike, Superkupën dhe Kupën e Kosovës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.