Basketboll

PJESA E PARË E FINLANDËS S’MJAFTON, SPANJA GJYSMËFINALISTI I PARË I EUROBASKET 2022

Prishtinë(AsistiOnline) – Spanja është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Eurobasket 2022.

‘Iberikët’ kanë arritur që ta mposhtin në çerekfinale Finlandën e Edon Maxhunit me shifrat e përgjithshme prej 100-90.

Ishte ky një duel tejet interesant me Finlandën që e fitoi pjesën e parë goxha bindshëm (43-52), por në pjesën e dytë vendosi përvoja e madhe e spanjollëve që pëpos se zhvilluan lojë fenomenale edhe e morën epërsinë për ta fituar ndeshjen.

Vëllezërit binjakë, Willy & Juancho Hernangomez me 27 pikë, përkatësisht 15 sosh, ishin dyshja kryesore e spanjollëve në këtë triumf, derisa u ndihmuan edhe nga Dario brizuela me 14 e Rodolfo Fernandez me 11 sosh.

Te Finlanda s’mjaftuan për fitore, Lauri Markkanen me 28 pikë e Mikael Jantunen me 18 sosh. Kosovari Edon Maxhuni në këtë ndeshje luajti 23 minuta me 2 pikë, 4 asiste e 3 kërcime.

Marrë në përgjithësi ishte ky një Eurobasket fenomenal për Finlandën që pas më shumë se tri dekadave arriti në nivele të tilla me ndihmën e madhe edhe të Edon Maxhunit që ishte fantastik, sikurse në këtë Evropian ashtu edhe në kualifikime për të.

Spanja në gjysmëfinale e pret fituesin e duelit, Gjermani – Greqi, që luhet sonte.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.