Basketboll

3 ndeshje pa shikues për Prishtinën dhe gjobë në të holla, dënime edhe për klubet e tjera

Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Kosovës e ka publikuar informatorin e xhiros së parë në Superligën e meshkujve.

Në njoftim të informatorit përpos regjistrimit të ndeshjeve me rezultatet e arritura sikurse në parket, bien në sy edhe shumë dënime të shqiptuara nga Komesari i Garave.

Më së rëndi e ka pësuar Sigal Prishtina që përpos dënimit në të holla, i janë sanksionuar edhe tifozët për tre ndeshje.

Për incidentin me Pejën në fund të ndeshjes, Prishtina është dënuar me 500 euro gjobë në të holla, si dhe 3 ndeshje pa shikues në cilësinë e vendasit.

Goxha ashpër në këtë xhiro, është dënuar edhe Rahoveci që ka marrë gjobë në të holla prej 400 eurove.

Me gjobë në të holla është dënuar edhe Bashkimi që do ti detyrohet FBK-së me 500 euro, si dhe dy lojtarët e klubit, Altin Morina e Davonte Lacy me nga 50 euro.

Me nga 50 euro janë dënuar edhe Burim Zekiqi i Vëllaznimit dhe Arbnor Rifati i Ponte Prizrenit.

Në total dënime në të holla nga Komesari i Garave janë shpërndarë 1600 euro.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.