Basketboll

ASISTI 502 sonte në përkujtim të Belul Beqajt, flasin edhe drejtuesit e klubeve kosovare rreth ndeshjeve evropiane

Episodi 502 i emisionit më ekskluziv për basketbollin, ASISTIT me fillim nga ora 21:00 në Sport 1 dhe pas mesnate në Klan Kosova sjellë më të rejat rreth këtij sporti në vendin tonë, ku këtë vikend është zhvilluar xhiro e tretë në Prince Caffe Superligë teksa kampionët e Kosovës, Golden Eagle Ylli debutuan edhe në FIBA Champions League ndërsa skuadrat e tjera, Sigal Prishtina dhe Trepça po bëhen gati për tu paraqitur në FIBA Europe Cup.

Poashtu, ky ASIST i dedikohet edhe ish-kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Belul Beqajt, i cili dje ndërroi jetë teksa së bashku kujtojmë arritjet që i ndjeri pati sa ishte në krye të shtëpisë së basketbollit kosovar duke nisur nga viti 1992 e deri më 2006 në kohën kur basketbolli u bë padiskutim sporti më i dashur për të gjithë dashamirët në vendin tonë.

Për të diskutuar në lidhje me impaktin që Belul Beqaj pati në basketbollin kosovar dhe kujtimet që kanë me të dhe sigurisht edhe për përgatitjet që po bëjnë për paraqitjet në garat evropiane të ftuar në studion e ASISTIT janë: Vullnet Sefaja – kryetar i KB Trepçës, Shkumbin Jakupi – nënkryetar i KB Sigal Prishtinës dhe Egzon Fetiu – drejtor i KB Golden Eagle Yllit.

 Cilat janë kujtimet e të ftuarëve në studio me të ndjerin, Belul Beqajn dhe si i ndihmoi ai
skuadrave të tyre në periudha të vështira?

 Çfarë i mungoi Golden Eagle Yllit në çerekun e katërt të ndeshjes ndaj Benficas në Champions League?

 A është gati qyteti i Mitrovicës dhe skuadra e KB Trepçës për të organizuar kualifikimet e FIBA Europe Cup?

 A do i ketë skuadra e Sigal Prishtinës të gjithë basketbollistët në dispozicion për ndeshjen kualifikuese?

 Qfarë ndodhi në ndeshjet e xhiros së tretë të Prince Caffe Superligës?

 Kush ishin Pesëshja dhe MVP nga kjo javë?

Këto dhe shumë tjetër në episodin shumë special numër 502 të Asistit, kushtuar njeriut që kontribuoi shumë për mbijetesën, ngritjen dhe ndërkombëtarizimin e basketbollit kosovar, Belul Beqajt.

Mos e humbisni, nga ora 21:00 në Sport 1 dhe pas mesnate në Klan Kosova nën moderimin e Agon Fehmiut dhe Ulpiana Emra-s.

Komentet janë të mbyllura.