Basketboll

Prishtina rikthehet në çerekun e fundit dhe fiton ndaj Bashkimit

Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 87:80 (16:17, 19:22, 23:24, 29:17), në xhiron e pestë të Prince Caffe Superligës.

Çereku i parë ishte i barabartë dhe me disa ndërrime në rezultat, ku asnjëra prej skuadrave nuk arrinte shkëputjen dhe përfundon 16:17 për mysafirët. Edhe periudha e dytë ishte kryesisht e barabartë me prizrenasit që për një nuancë ishin më të mirë, duke shkuar në pushim me rezultat 35:39.

Në periodën e tretë, prishtinasit barazuan shifrat në 40:40, por më pas u shkëputen Portokallezinjtë me nëntë pikë epërsi 43:52, dhe ishin në epërsi konstante në këtë pjesë, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 58:63. Megjithatë, rikthimi i madh i vendasve ndodhi në dhjetë minutat e fundit, që e filluan furishëm, duke përmbysur rezultatin. Bardhekaltrit kaluan në epërsi 69:66 dhe më pas e thelluan epërsinë dhe në fund triumfuan 87:80.

Te Sigal Prishtina u dalluan Derrick Wilson me 19 pikë e shtatë asistime, kurse te Bashkimi më i miri ishte Altin Morina me 17 pikë. Kryeqytetasit kanë tri fitore e një humbje, kurse prizrenasit dy fitore e tri humbje.

Komentet janë të mbyllura.