Ende pa kaluar faza e parë, tri ndryshime të trajnerëve në skuadrat e Superligës
Prishtinë(AsistiOnline) – Ende pa kaluar mirë faza e parë e garave të Superligës së Kosovës, tri skuadra tashmë kanë ndërruar shefat e shtabeve teknike.
Tri skuadrat prej më të vjetrave në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtina, Bashkimi dhe Vëllaznimi, tashmë kanë pësuar ndryshimet e para në rolet e trajnerëve kryesorë, shkruan AsistiOnline.com
E gjithë këto ndryshime, po shihen me skepticizëm nga njëri prej basketbollistëve më të mirë të paraluftës në Kosovë dhe tash trajner që jeton dhe vepron në Austri, Vllaznim Perani i cili për AsistiOnline.com i ka komentuar këto lëvizje të skuadrave tona.
”Në botën e sportit gjithmonë rezultatet janë në plan të parë… Sipas mendimit tim në kohët e sotme, sporti është bërë biznes, dihet pse: sponzori e gjëra të tjera. Por në vendet e zhvilluara sidomos në basketboll, ekipet e strukturuara mirë, mundohen që sa më shumë të qëndrojnë me trajnerë për kohë të gjatë… por ka raste ku vjen në pah dëshirë e madhe për rezultate e ku zakonisht është e lidhur me shikueshmeri… Por ka edhe raste kur nuk ju pëlqen filozofia e trajnerit ose dështimi i blerjes së rosterit apo edhe trajneri nuk mundet me e kriju ndërtimin e ekipit”, thotë ai.
Perani tutje theksoi se ndërrimi i trajnerëve në Kosovë është bërë shprehi, por është e gabueshme kjo çasje.
”Me fjalë të tjera në Kosovë është bërë një shprehi kjo punë… pse nuk e di? por po gabohet. Liga është e gjatë, dmth nga të dy anët kërkohet mirëkuptim dhe durim. Trepça dhe Ylli janë shembull i mirë. Ju faleminderit për vëmendjen, ju uroj mbrëmje të mirë me sport, posaçërisht me basketboll”, u shpreh në prononcimin e tij, Perani.
Të kujtojmë se Prishtina dhe Ekrem Memnun, ndanë rrugët vetëm pas xhiros së parë, siç u tha nga klubi kryeqytetas për shkaqe personale të trajnerit.
Skuadra e Bashkimit këtë javë njoftoi se me marrëveshje të dyanshme kanë ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin, Darko Raduloviq i cili sipas burimeve të AsistiOnline.com, është shkarkuar nga drejtuesit e klubit me të vetmin shkak, për performancat e dobëta të ekipit.
Ndërsa, skuadra e Vëllaznimit e shkarkoi nga detyra, Franko Sterlen për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit nën-drejtimin e tij edhe pse zyrtarisht s’ka pasur asnjë edhe një njoftim nga kuqezinjët, qoftë për shkarkimin e tij apo se kush e ka marrë drejtimin e ekipit.
Tek të trija ekipet, sikurse te Prishtia, Bashkimi apo Vëllaznimi, momentalisht me rosteret po udhëheqin ndihmës-trajnerët e parë e nuk përjashtohet mundësia që situata të ndryshojë dhe klubet e lartëcekura të afrojnë trajnerë të rinjë.
Prishtina aktualisht po drejtohet nga turku, Murat Bilge i cili ka përvojë të jashtëzakonshme si trajner, ku së fundmi ka punuar si asistent te skuadra e madhe spanjolle, Baskonia.
Ndërsa, Bashkimi momentalisht ia ka besuar postin e kryetrajnerit, Edin Kërveshit i cili edhe më herët e ka drejtuar ekipin portokallinjë si trajner i parë.
Ekipin e Vëllanzimit po e drejton, Josip Plantak që ishte ndihmës i Sterles. Josipi njëherazi është edhe i biri i Neven Plantakut, ish-trajnerit të Trepçës dhe Rahovecit.
Gjatë ditëve dhe javëve në fillim, nuk përjashtohet mundësia edhe e lëvizjeve të tjera të trajnerëve nga skuadrat tona, pasiqë me disa prej tyre ka pasur pakënaqësi, por që ata vazhdojnë ti kryejnë detyrat e tyre.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.