Mitrovicasit të zhurmshëm, kërkojnë që legjenda Artan Mehmeti ta marrë drejtimin e ekipit
Prishtinë(AsistiOnline) – Edhe pse ka bërë investimet më të mëdha në histori të klubit, skuadra e Trepçës sivjet nuk po e tregon formën e dëshiruar.
Pas shtatë xhirove të kaluara në Superligën e Kosovës, mitrovicasit kanë pësuar tri disfata, karshi edhe katër fitoreve, por jo me lojë të mirë për sytë e publikut.
E gjithë kjo formë e dobët e sidomos disfata e fundit, ka bërë që tifozët e Trepçës që njihen si të ”çmendur” pas skuadrës së zemrës, të kërkojnë shkarkimin e trajnerit aktual, Lubomir Minchev dhe kërkojnë të anagazhohet në krye të skuadrës, legjenda e klubit, Artan Mehmeti.
Përpos qytetarëve dhe tifozëve edhe shumë faqe e portale lokale mitrovicase, vazhdimisht janë duke bërë thirrje që kryesia e klubit ta marrë për bazë emërimin e Mehmetit për trajner të ekipit.
Të kujtojmë se Artan Mehmeti njihet si një prej plejmejkerëve më të mirë në historinë e basketbollit kosovar dhe mund të jetë kjo, një kërkesë e drejtë dhe e arsyeshme e publikut mitrovicas që e njeh shumë mirë lojën e basketbollit, sepse në Mitrovicë është luajtur tradicionalisht basketbolli dhe nuk është një publik i rëndomtë.
Megjithatë, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i drejtuesve të klubit që pas humbjes me Vëllaznimin, nuk kanë bërë ndonjë deklarim për media e javën e kaluar, kryetari i klubit Vullnet Sefaja në një prononcim për AsistiOnline.com deklaroi në formë indirekte se nuk e kanë në mendje ndërrimin e trajnerit.
Lexo edhe:
E fundit: Kryetari i Trepçës tregon të ardhmen e Minchevit te Trepça
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.