Basketboll

Publiku i Rahovecit kërkon mobilizim nga klubi, mbetja në elitë po rrezikohet

Prishtinë(AsistiOnline) – Viteve të fundit skuadra e Rahovecit ka qenë njëra prej klubeve më simpatike në elitën e basketbollit kosovar.

Kjo skuadër e riformuar gjatë dekadës së fundit, përkundër se vije nga një qytet i vogël dhe jo fortë i zhvilluar, arriti që disa herë të kyçet edhe në ”play off”, madje gjatë stinorit 2018/19 u kualifikua edhe në finale të Superligës, por u mposht nga Prishtina.

Në dy vitet e fundit, Rahoveci po kalon momente tejet të vështira, madje e tregojnë edhe rezultatet ku stinorin e kaluar mbeti në ligë përmes ”play out”-it.

Edhe sivjet, klubi po e rrezikon seriozisht rënien nga elita, kjo për faktin se të gjitha ekipet e tjera janë përgatitur tepër shumë, për një stinor të nxehtë e Rahoveci ka ngecur në merkato me çka po manifestohet edhe në renditjen tabelare, duke arritur deri tani vetëm një fitore dhe në pozitën e fundit, aktualisht.

Në fakt, loja e klubit nuk është se nuk po funksionin sepse të gjitha ndeshjet janë humbur me rezultat të ngushtë, por duket se papërvoja e lojtarëve, sidomos atyre vendorë, po i kushton ekipit nga qyteti i vreshtave.

Megjithatë, publiku simpatik i  Rahovecit po kërkon mobilim urgjent nga drejtuesit e skuadrës që të evitohet më e keqja dhe klubi të mos kthehet aty ku ishte para 7 vitesh në Ligën e parë.

Deri tani edhe transferet e klubit, nuk është se e kanë dëshmuar veten me lojë në parket dhe kjo po e vështirëson punën e trajnerit, Muhamed Thaçit për ti arritur fitoret.

Mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim se cilat do të jenë veprimet e strukturës drejtuese të Rahovecit, karshi krizës që e ka kapluar klubin ‘vreshtar’ në javët e fundit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.