Basketboll

”Plisat” të irrituar, krahasojnë dy vendime të FBK-së që sipas tyre bien ndesh me njëra tjetrën

Prishtinë(AsistiOnline) – Vendimi për ndalimin e udhëtimeve të tifozëve mysafirë nga Federata e Basketbollit të Kosovës, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në radhët e tifozërive kosovare.

Së fundmi, është grupi i organizuar i tifozëve prishtinas, ”Plisat” që nëpërmjet një komunikate kanë shprehur irritimin e tyre, për këtë vendim që sipas tyre është i pabazuar në praktikë, i marrë brenda nate dhe në prag të një udhëtimi të tyre masovik, duke aluduar në tendenca të caktuara.

Sipas ”Plisave”, vendimi i bordit të FBK-së përveçse është diskriminues ndaj gjithë tifogrupeve në vend, ata konsiderojnë se është edhe dashakeq ndaj klubit kryeqytetat.

Për këto që thonë, ”Plisat” kanë publikuar edhe dy dokumente zyrtare të FBK-së, që sipas tyre bien ndesh me njëra tjetrën.

Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i grupit të tifozëve ”Plisat”:

REAGIM NDAJ VENDIMIT TË BORDIT TË FBK-së

Plisat reagojnë ashpër ndaj vendimit arbitrar të marrë nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës me dt. 27.10.2022. Cilësojmë si arbitrar për shkak se është marrë një vendim i pabazuar në praktikë, brenda nate, në prag të udhëtimit tonë masovik, dhe jo në fillim të garave, por tek pasi kanë ndodhur disa udhëtime paraprake.

Vendimi i Bordit përveçse është diskriminues ndaj gjithë tifogrupeve në vend, konsiderojmë se është mëse dashakeq ndaj klubit kryeqytetas. Krejt kjo duke u bazuar në faktet që do ju sjellim mëposhtë:

Në vendimin e marrë nga Komisioni i Garave, me nr.4/2022 të dt.18.10.2022, nuk shihet ndonjë pengesë për pjesëmarrjen e organizuar të tifozëve të klubit mysafir, klubi mysafir ka drejtuar kërkesën në kohë, e përkundrazi këtu klubi nikoqir nuk ka argumentuar për rrezikshmëri të lartë, andaj edhe është miratuar kërkesa e mysafirëve. Por, ja që, pas 9 ditëve, kësaj radhe ne drejtojmë kërkesën në kohë, klubi nikoqir vullnetarisht ka garantuar bileta, pra e merr përgjegjësinë organizative, dhe kësaj radhe Bordi merr “flamurin” dhe vendimin e tyre e bazon sipas “disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit…”. Pra shtrohet pyetja, cilave ndeshje?! Sepse me datë 18.10.2022, sipas KG-së, gjithçka ishte në rregull, e ne jemi dëshmitarë që as pas datës 18 nuk kishte ndonjë “ngjarje problematike”. Atëherë, ku po bazohet Bordi i FBK-së?

Ritheksojmë, vendimin e keni të pabazë e qëllimkeq! Ndeshjet luhen për ne, jo për kalkulimet e juaja!

Rikujtojmë se të dielën me fillim nga ora 17:00 në Karagaq, Peja është nikoqire e Sigal Prishtinës në klasikën e elitës së basketbollit ku ndeshen lideri Peja dhe i dyti, Sigal Prishtina.
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.