Basketboll

ASISTI 507: Mysafirët special Edmond Azemi dhe Gëzim Morina analizojnë derbin dramatik dhe rilindjen e Yllit

Me fillim nga ora 21:00 në Sport 1 dhe pas mesnate në Klan Kosova,  ASISTI emisioni i vetëm në shqiptari i dedikuar ekskluzivisht basketbollit sonte vjen me episodin numër 507 dhe sjell edhe një rrugëtim të bukur e të pasur nëpër parketet kosovare, mbarëkombëtare shqiptare dhe ato ndërkombëtare.

Mysafirët special këtë javë janë  kapiteni i Yllit dhe i rikthyeri nga lëndimi, Gëzim Morina dhe legjenda e klubit prishtinas, tash drejtori i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi.

Edo dhe Gëzimi analizojnë në mënyrë të detajuar elitën e basketbollit kosovar me fokus të veçantë krye ndeshjen Peja – Sigal Prishtina. 

Në Karagaq u takuan dy top skuadrat e Prince Caffe Superligës, lideri i pamposhtur Peja dhe Prishtina e dyta. Ishte kjo edhe një klasikë që solli dramë dhe kënaqësi maksimale në Karagaqin e stërmbushur me mbi 4000 shikues dhe qindra tjerë që kishin mbetur jashtë palestrës e cila ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit për ta shikuar LIVE këtë spektakël basketbolli.

  • Çka thonë Edo dhe Gëzimi për duelin dramatik Peja – Sigal Prishtina?
  • Si e cilëson Gëzimi skuadrën prishtinase në prag të krye ndeshjes që i pret këto dy skuadra të dielën e ardhshme, në Prishtinë?

Për më tepër, Edo dhe Gëzimi do të diskutojnë për këndelljen e kampiones aktuale të dyfishtë Golden Eagle Yllit e cila pas 4 humbjeve rresht u këndell me 4 fitore të njëpasnjëshme dhe nga pozita e fundit u ngrit në pozitën e tretë.

Tetori fantastik basketbollistik solli edhe shkëlqimin e jashtëzakonshëm të Yllit në arenën ndërkombëtare dhe fitoren historike në FIBA Europe Cup ndaj Brose Bambergut, skuadër e cila deri para 4 viteve ishte anëtare e rregullt e Euroleagues dhe nga 2018-2022 ishte pjesëmarrëse e FIBA Basketball Champions League 

  • Çka mendon Edo për këndelljen e Golden Eagle Yllit dhe sidomos për fitoren fantastike në FIBA Europe Cup nga njërës prej dy skuadrave më të suksesshme gjermane në histori të këtij vendi?

Java e kaluar ishte javë e Superkupës Mbarëkombëtare për Femrave. 

Të mërkurën dhe të enjten në Sezai Surroi në Prizren, katër skuadrat më të mira elitës së basketbollit femëror shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria luftuan për trofeun e çmueshëm mbarëkombëtarë. Në gjysmëfinale u takuan fitueset e Kupës dhe kampionet e dy shteteve tona, Flamurtari – Partizani dhe Bashkimi – Penza kurse në finale kaluan vlonjatet dhe prizrenaset 

Për më tepër, sonte në ASISTIN 507 sjellim analizën e xhiros së tretë të Superligës së Femrave dhe kryendeshjen mes Bashkimit dhe Prishtinës; bllokun unik dhe për ne shumë të dashur Shqip[tarë në Botë në ASIST ku do të mësojmë më të rejat rreth Edon Maxhunit, Kenan Spahiut e Ergjan Osmanit e shumë e shumë të tjerëve për ta përmbyllur fluturimin basketbollistik me NBA në ASIST dhe TOP 10 aksionet e javës 

Gjitha këto dhe shumë më tepër sonte duke filluar nga ora 21 në Sport 1 në Artmotion dhe 20 minuta pas mesnate në Klan Kosova, në fluturimin basketbollistik nr.507 me ASIST dhe Agon Fehmiun e Ulpiana Emrën.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.