Basketboll

Liga Unike ende e pa kompletuar, Trebicka i paqartë për mbledhjen e sotme

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike Mbarëkombëtare e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, te meshkujt vazhdon ta ketë të ardhmen e paqartë.

Në xhiron e parë janë shtyer disa nga duelet, për shkak se ekipet shqiptare, Tirana dhe Teuta nuk duan të jenë pjesë e garës e të dyja Federatat vazhdojnë të insistojnë se gara është e detyrueshme për ekipet.

AsistiOnline.com gjatë ditës së sotme ka insistuar të marrë përgjigje nga drejtuesit e Ligës Unike dhe kryetarët e udhëheqësit e dyja Federatave lidhur me fatin e garës por përveç një përgjigje nga Ilir Trebicka, kryetari i Ligës Unike e cila ishte shumë e paqartë krerët e FBK-së dhe ai i FSHB-së, Fetahu respeltivisht Ponari nuk pati përgjigjje.

Në përgjigjen e Trebickës dhënë AsistiOnline-it thuhet ”Sot u mblodh Bordi i Ligës Unike me prezencën edhe të të dy Presidentëve të FBK-së dhe FShB-së. Po kështu ishin të ftuara edhe ekipet e Shqipërisë, pjesëmarrëse në Ligën Unike. Vendimi lidhur me qëndrimet e ekipeve shqiptare do të merret sot më vonë nga Bordi” duke shtuar se mediet do të njoftohen zyrtarisht për vendimin e Bordit të Ligës Unike.

Të kujtojmë se ditë më parë për AsistinOnline, foli edhe kreu i FBK-së, Arben Fetahu. Ai insistoi në mbajtjen e garave të Unikes dhe konfirmoi takimin e ditës së sotme por deri në këto momente nuk ka qenë i çasshëm për deklarim.

Megjithatë, lidhur me aktualitetet në Ligën Unike për Meshkuj pas shtyrjes së dy ndeshjeve të para për shkak të refuzimit të Tiranës dhe Teutës që të ndeshen me Golden Eagle Yllin, respektivisht Trepçën pas përplasjeve që kanë pasur me Federatën Shqiptare të Basketbollit për çështjen e referimit dhe problemet tjera, gjatë të premtes kryetari i Ligës Unike, Ilir Trebicka ishte prononcuar për “Panorama Sport” duke e konsideruar sjelljen e klubeve si të papërgjegjshme dhe ka njoftuar se nga edicioni i ardhshëm pjesëmarrja në Ligën Unike do të jetë e detyrueshme pë skuadrat e kampionatit të Shqipërisë.

Në vazhdim e sjellim intervistën e Trebickës për Panorama Sport

Z.Trebicka, çfarë po ndodh me Ligën Unike?

Kemi dy skuadrat kryesore të Shqipërisë si Tirana dhe Teuta, të cilat refuzojnë që të luajnë… Për sa i përket Tiranës nuk arrij që të gjej dot shpjegim. Ata kanë i kanë adresuar një letër Federatës Shqiptare të Basketbollit ku ankohen për arbitrimin në një ndeshje të kampionatit dhe thonë që meqenëse ju na arbitroni kështu, ne marrim vendimin që të mos luajmë në Ligën Unike. Kjo për mua është një papërgjegjshmëri, sepse përveçse e kanë konfirmuar prezencën, Liga Unike duhet parë edhe politikisht. Të dyja qeveritë kanë rënë dakord dhe është një event mbarëkombëtarë shumë i rëndësishëm. Kuptohet, Kosova ka nivel më të lartë se ne, kështu që ekipeve të Shqipërisë iu intereson për mendimin kjo, sepse luajnë me klube më të mira. Nuk arrij ta kuptoj pse mbajnë këtë qëndrim.

 

 

Ndërkohë Teuta ka kërkuar takim…

Teuta ka thënë që duam të sqarohemi lidhur me rregulloret dhe arbitrimin në Ligën Unike, sepse vazhdojnë gjithmonë ato historitë që kanë pretendime për arbitrimin. Askush nuk po ua mohon pretendimet dhe unë nuk mund të futem në këtë pjesë që të them nëse kanë të drejtë apo jo, por di që Liga Unike duhet bërë. Ja kam shpjeguar edhe Teutës dhe u kam thënë që mirë është që të mos kërkojnë shtyrje dhe të marrin pjesë, pasi nuk ka lidhje me sqarimet, të cilat sigurisht do të bëhen dhe do të përpiqemi që t’i zgjidhim. Ne si Ligë Unike jemi përpjekur që t’u rrimë shumë afër ekipeve dhe t’i ndjekim në komentet apo vërejtjet që kanë.

Një kërkesë e durrsakëve është edhe caktimi i arbitrave me short…

Kjo është miratuar. Arbitrat do të hidhen me short dhe do të ftohen pjesëmarrësit, nëse do të kenë dëshirë që të jenë të pranishëm në short.

A mund ta quajmë këtë situatë një lloj hakmarrjeje të klubeve për problemet që kanë me federatën, duke përdorur kështu Ligën Unike?

Nuk mund ta them kështu, por për mua është një papërgjegjshmëri e momentit. Megjithatë të dyja ekipet këtë lenë që të kuptosh, që kanë pakënaqësi. Më duket diçka komplet pa lidhje, pasi çfarë do të thotë kjo, që kanë pakënaqësi dhe nuk duhet të marrin pjesë?! Edhe unë kam pakënaqësi që jam anëtar i federatës me shoqatën Dinamo Basket, por kjo nuk do të thotë që të mos marr pjesë në Ligën Unike apo në kampionatin kombëtar.

A mund të bëhet precedent i rrezikshëm edhe për vitet në vijim kjo situatë?

Unë kam kërkuar që vitin tjetër Liga Unike të jetë detyrim, pasi kjo situatë mund të vazhdojë kështu. Pra, ose merr pjesë në të dyja kompeticionet, ose në asnjërin. Që do të thotë se nuk mund të marrësh pjesë në kampionatin kombëtar nëse nuk merr pjesë në Ligën Unike.

A mund ta quajmë në rrezik këtë edicion të Ligës Unike duke parë qëndrimin e Tiranës dhe të Teutës?

Jo, nuk është në rrezik. Ajo që mund të themi është se këto dy ekipe kanë gabuar për momentin me qëndrimet e tyre dhe se duhet ta vlerësojnë ndryshe Ligën Unike, sepse nuk është thjeshtë një aktivitet kombëtar, por kemi të bëjmë me një event mbarëkombëtarë. Duke vlerësuar faktin që është një kompeticion i bërë nga të dyja qeveritë me vullnetin e tyre. Pavarësisht se cilat janë qeveritë dhe qëndrimet politike, në të gjithë e kemi parë si një vendim shumë të drejtë krijimin e këtij kompeticioni, edhe politikisht, edhe nga pikëpamja kombëtare, por gjithashtu edhe teknikisht. Ku do të gjejnë ekipet tona që të bëjnë ndeshje të këtij niveli? Nuk kanë…

Për më të të rejat lidhur me fatin e garës e cila bashkoi sportin mbarëkombëtar shqiptar AsistiOnline.com do t’ju njoftoj vazhdimisht

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.