Basketboll

Vëllaznimi arrin super-fitore në Pejë, revanshohet për ndeshjen e parë

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Vëllaznimit ka arritur fitore të madhe në kuadër të xhiros 11-të në elitën e basketbollit kosovar.

Kuqezinjët kanë triumfuar në udhëtim te liderja e Superligës, te Peja me shifrat e përgjithshme dhe finale 82-91.

Rrjedha e ndeshjes ishte tepër interesante me mysafirët që fituan çerekun e parë 14-18, por Peja shpejtë u rikthye në lojë për të fituar të dytin 26-13 dhe shkoi në pushim mes pjesëve me avantazh solid 40-31.

Në pjesën e dytë, Vëllaznimi u tregua fantastik, fillimisht duke e fituar çerekun e tretë 23-30 dhe e nisi periodën vendimtare me vetëm 2 pikë minus 63-61. Në çerekun e fundit (19-30), gjakovarët hynë të mobilizuar dhe përmbysën gjithçka e fitorja në fund ju takoi me plotë meritë falë luftës së madhe.

Anthony Adger me 21 pikë dhe Atik Koshi me 19 sosh, ishin dyshja më e dalluar te Vëllaznimi në këtë fitore të sontme, pa i harruar edhe Jordan Harrisin me 17 pikë, Emmanuel Omogbon me 15 pikë e 14 kërcime dhe Arbër Sinanin që realizoi 11 sosh.

Te Peja ishin të pamjaftueshëm për fitore, Jalen Tate me plotë 35 pikë e Rodney Purvis me 13 sosh.

Pas xhiros së 11-të, Peja vazhdon të mbetet e para me 8 fitore e 2 humbje, gjersa Vëllaznimi gjendet i 4-ti me 5 fitore e 6 humbje.

Në xhiron e ardhshme, Vëllaznimi e pret Golden Eagle Yllin e Peja i shkon Trepçës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.