Basketboll

ASISTI 512: STOP DHUNËS NË BASKETBOLL ME MYSAFIRË SPECIALË

Basketbolli në këto muajt e fundit ka marrë përsëri epitetin si sporti më i popullarizuar në vendin tonë teksa palestrat po stërmbushen dhe ndeshjet po shikohen shumë edhe përmes ekraneve televizive, mirëpo një fenomen që po e rrezikon seriozisht mbarëvajtjen e garave në vendin tonë dhe që po pengon rritjen edhe të më tutjeshme të basketbollit është fenomeni i dhunës në palestra dhe ngjarjeve të pakëndshme të cilat po ndodhin herë pas here. 

Sonte ASISTI vjen me temë speciale: Stop dhunës në basketboll!

Incidentet dhe dhuna e cila po ndodh kohëve të fundit në palestrat e basketbollit i ka tejkaluar krejt kufijtë dhe duhet të ndalet menjëherë.

Mundi i kryesive të klubeve për me i organizua ekipet, me i sigurua sponsorët e financat për me i krijua kushtet që secili prej qyteteve të kompozoj skuadra kualitative dhe konkurruese po shkon huq për shkak të huliganëve dhe dhunuesve që nuk e kanë vendin në arena sportive dhe urgjent duhet të mënjanohen nga ngjarjet e basketbollit , në mënyrë kirurgjike, si kanceri. Skenat e incidenteve janë bërë të neveritshme dhe institucionet në krye me Federatën e Basketbollit të Kosovës, klubet dhe institucionet shtetërore duhet të koordinohen dhe me veprime konkrete të reagojnë: tash, menjëherë.

Mysafirë specialë në ASIST ku do të bisedohet zgjidhja emergjente dhe e përhershme për ta ndal njëherë e përgjithmonë dhunën në basketboll janë: 

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe kryetaret e katër prej klubeve të Superligës tonë: Fatmir Gashi (KB Peja), Vullnet Sefaja (KB Trepça), Blerand Stavileci (KB Prishtina) dhe Tyrhan Kosova (KB Bashkimi). Ata tregojnë masat që klubet e tyre dhe shtëpia e basketbollit kosovar kanë marrë me qëllim parandalimin e kësaj dukurie që rrëzikon ta pengoj zhvillimin pozitiv që basketbolli ka pasur së fundmi në vendin tonë. 

Si do të koordinohet puna e klubeve, federatës, policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, së bashku edhe me Këshillin Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive dhe Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit të Republikës për ta ndal dhunën.

  • Çfarë pritet të ndihmojë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve për të ndihmuar parandalimin e këtyre problemeve? 
  • Çfarë planifikon të bëjë KB Trepça për t’i ndal problemet? 
  • Të gjithë janë të vendosur, si kurrë më parë që ta ndalin menjëherë dhunën në basketboll dhe pajtohen se toleranca ka me qenë zero për huliganët por , si do të bëhet kjo?

Testi i parë do të jetë Super Kupa e Kosovës e cila nga e mërkura deri të dielën mbahet në Prishtinë: cilat janë planet e sigurisë për Superkupën e Kosovës? 

Këtë do ta mësojmë sonte në ASISTIN 512 dhe natyrisht, basketbolli kosovar ka edhe shembuj të mirë dhe ASISTI sonte i sjell te ju.

Në pjesën e dytë vjen komplet aksioni i Prince Caffe Superligës, Liga Unike dhe Superliga e Femrave  dhe natyrisht blloku shumë i pasur ndërkombëtar me përfaqësimin e klubeve tona dhe Shqiptarëve në Botë Krejt në fund vjen ajka me Top 10 aksionet e javës.

Të gjitha këto dhe shumë më tepër sonte në ASISTIN 512 nga ora 21:00 në Sport 1 n’Artmotion dhe 30 minuta pas mesnate në Klan Kosova, menjëherë pas premierës super ekskluzive të Big Borther VIP Kosova.

Mos e humbisni assesi!

 

Komentet janë të mbyllura.