Basketboll

(VIDEO LAJM) ASISTI 512 – KOMPLET

STOP DHUNËS NË BASKETBOLL

Basketbolli ka marrë përsëri epitetin si sporti më i popullarizuar në vendin tonë teksa palestrat po stërmbushen dhe ndeshjet po shikohen shumë edhe përmes ekraneve televizive, mirëpo një fenomen që po e rrezikon mbarëvajtjen e garave dhe rritjen e mëtutjeshme është dhuna në palestra. Andaj ASISTI 512 vjen me temë speciale: Stop dhunës në basketboll!

Incidentet dhe dhuna e cila po ndodh kohëve të fundit në palestrat e basketbollit i ka tejkaluar krejt kufijtë dhe duhet të ndalet menjëherë. Mundi i kryesive të klubeve për me i organizua ekipet, me i sigurua sponsorët e financat për me i krijua kushtet që secili prej qyteteve të kompozoj skuadra kualitative dhe konkurruese po shkon huq për shkak të huliganëve dhe dhunuesve që nuk e kanë vendin në arena sportive dhe urgjent duhet të mënjanohen nga ngjarjet e basketbollit , në mënyrë kirurgjike, si kanceri. Skenat e incidenteve janë bërë të neveritshme dhe institucionet në krye me Federatën e Basketbollit të Kosovës, klubet dhe institucionet shtetërore duhet të koordinohen dhe me veprime konkrete të reagojnë: tash, menjëherë.

Mysafirët special në ASIST, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe kryetaret e katër klubeve të Superligës: Fatmir Gashi (KB Peja), Tyrhan Kosova (KB Bashkimi), Vullnet Sefaja (KB Trepça) dhe Blerand Stavileci (KB Sigal Prishtina) diskutojnë për zgjidhjet emergjente dhe të përhershme për ta ndal njëherë e përgjithmonë dhunën në basketboll. Se çka thanë mysafirët special, shikoni videon e bisedës në vazhdim

 

Testi i parë i organizimeve të suksesshme he duke parandaluar dhunën pa dyshim se do të jetë Superkupa e Kosovës e cila nga e mërkura deri të dielën mbahet në Prishtinë kurse lidhur me këtë të Premtën në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u mbajtë konferenca për shtyp. Ulpiana Emra e sjell raportin nga kjo konferencë.

 

Aksioni i Prince Caffe Superligës sjell xhiron 13 gjatë të cilës pati edhe gjëra shumë të bukura.

Golden Eagle Ylli në prag të ndeshjes me Trepçën shpërbleu me mirënjohje dy ish lojtarët e vet që tash luajnë pikërisht te Trepça: Erjon Kastratin dhe Mikaile Tmushiqin, dy yjet e Yllit që ishin bartës të sukseseve historike të skuadrës nga Suhareka në du vitet e fundit dhe verës kaluan te Trepça. Në ndeshjen e parë që Erjoni dhe Tmushiqi u kthyen në Suharekë por kësaj here si lojtarë të Trepçës, klubi i Yllit ju ndau mirënjohje kurse publiku therandas i duartrokiti dhe falënderoi për kontributin e dhënë në arritjen e sukseseve historike të Yllit.

Ky gjest dhe akt na i ngroh zemrat dhe na bënë të lumtur tej mase sepse ky është sporti dhe kështu duhet të jetë : rivaliteti në fushë gjatë 40 minutave le të jetë maksimal por edhe respekti për ata që kanë vlera. Adhurues të basketbollit , pas një kohe përsëri u ndiem të lumtur dhe të përmbushur dhe me një fjalë : na u bë zemra mal.

Mos të harrojmë patjetër me e përmend edhe shembullin e Vëllaznimit të Gjakovës dhe palestrën Shani Nushi ku rivalët, në fund të ndeshjes,  pavarësisht nëse Vëllaznimi fiton apo humb, lojtarët mysafirë duartrokiten dhe përshëndeten dhe definitivisht është shembull për t’u ndjekur dhe shpresojmë që kështu të vazhdoj dhe këto dy akte të bukura të bëhen model për të gjithë

Sugjerim edhe për kolegët e medieve tjera që kur ndodhin këso akte të mira dhe të bukura, le të ju japin hapësirën e duhur dhe le të respektohen dhe publikohen sepse nuk është krejt zi e terr

Në vazhdim ju ftoj ta shikojmë komplet aksionin e elitës së basketbollit kosovar gjatë javës së kaluar së bashku me Pesëshen dhe MVP-in e Javës

 

Përderisa te meshkujt Liga Unike u pezullua te femrat ka vazhduar edicioni i dytë me xhiron e dytë. Në Kosovë u zhvillua një ndeshje , ajo ndërmjet Bashkimit e Prishtinës ndërsa në Tiranë u zhvillua derbi i kryeqytetit ndërmjet Partizanit e Tiranës dhe në Vlorë, Flamurtari priti Penzën.

 

Po mbetemi edhe më tej basketbollin e femrave kësaj here me Superligën e Kosovës. Vetëm 48 orë pas derbit në Ligën Unike , basketbollistet e Prishtinës dhe Bashkimit u takuan sërish kësaj here në Prishtinë, në derbin e xhiros 8 të Superligës së Kosovës për Femra

 

Bllokun e lajmeve ndërkombëtare e fillojmë me FIBA Europe Cup ku Golden Eagle Ylli e përfaqësoj sivjet vendin tonë. Të mërkurën e kaluar në kuadër të xhiros së fundit të Grupit A, Ylli në Prizren priti skuadrën e njohur gjermane Brose Bamberg të cilën e pati mposhtur në Gjermani duke shkaktuar sensacion në basketbollin evropian. Me këtë ndeshje kampioni i dyfishtë i Kosovës e mbylli aventurën e sivjetme evropiane

 

Përfaqësimin e skuadrave tona në arenën ndërkombëtare po e vazhdojmë me Ligën Ballkanike ku sivjet Kosovën e përfaqësojnë Peja dhe Bashkimi. Ndeshja e vetme e zhvilluar javën e kaluar ishte ajo e Pejës në Palestrën e quajtur Shtëpia e Basketbollit në Podgoricë ku pejanët ishin mysafirë të Milenium Kodios.

 

Natyrisht, ASISTI gjithmonë përgatit bllokun e dashur për gjithë ne: Shqiptarët në Botë.

Java që shkoi ishte fantastike për përfaqësuesit tanë pasi Edon Maxhuni me skuadrën e tij Creilsheim avancuan në rrethin e dytë të garave në FIBA Europe Cup kurse Kenan Spahiu kontribuoi në fitoren e madhe të Pinar Karsiyakas ndaj kampionit aktual të Evropës, Anadolu Efesit

Krejt në fund ASISTIN 512 e përmbyllim me TOP 10 aksionet fantastike të javës së kaluar

 

Adhurues të basketbollit , kënaquni me bukurit fantastike basketbollistike në ASIST dhe mos harroni për më shumë lajme ekskluzive gjatë javës vizitoni portalin numër 1 në shqiptari për basketboll: AsistiOnline .

Deri të hënën e ardhshme ju ftojmë të kënaqemi të gjithë me basketboll. Përkrahni klubet tuaja të zemrës , bëni tifo dhe shterni zërin por njëkohësisht  luftoni dhunën në basketboll.

Ju lutemi adhurues të basketbollit, qetësoni komshiun që e keni ulur pranë jush qoftë në tribuna apo në pjesën me ftesa speciale, mos gjuani dhe parandaloni incidentet , hajde të kënaqemi të gjithë me bukuri basketbolli

Deri të hënën e ardhshme: zemrat tuaja le t’i ngroh dashuria për basketboll

Komentet janë të mbyllura.