Bashkimi arrin fitore të madhe ndaj Pejës dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Superkupës
Bashkimi është gjysmëfinalisti i fundit në Superkupën e Kosovës, pasi me rikthim nga minus 15 pikë ka mundur Pejën me rezultat 69:73 (30:15, 10:17, 21:19, 8:22), ku të premten do të përballet me Trepçën.
Pejanët e nisën ndeshjen më mirë, me një seri shumë të suksesshme 13:2 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë bindshëm 30:15. Por, prizrenasit u këndellën në periudhën e dytë, ku arritën të ngushtojnë shifrat në 37:30, kurse pjesa e parë përfundon 40:32.
Portokallezinjtë vazhduan me lojë të mirë dhe ngushtuan shifrat minimalisht në 40:39, por verdhezinjtë sërish u shkëputën dhe shifrat pas 30 minutash ishin 61:51. Megjithatë, asgjë nuk kishte përfunduar, pasi prizrenasit rikthehen furishëm në dhjetë minutat e fundit dhe shkrin epërsinë e tyre e në momentet vendimtare ishin më të vëmendshëm, duke triumfuar 69:73.
Te Peja më i miri ishte Isiah Umipig me 21 pikë, kurse te Bashkimi me i dalluari ishte Prentiss Nixon me 16 pikë, 11 kërcime e gjashtë asistime.
Komentet janë të mbyllura.